Disfata ekonomike kosovare

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 17:29 | Nga Shkumbin Gashi

Ta paramendojmë Kosovën si një ishull . Ta paramendojmë se ky ishull është i harruar dhe në të jeton një popull që është larg civilizimit bashkëkohorë. I rrethuar nga oqeani në një skaje të Tokës. Nëse e paramenduam Kosovën një ishull në mes të oqeanit, tani duhet ta paramendojmë popullin e atij ishulli sikur të ishte një person. Me këtë paramendim përfundon imagjinata jonë dhe barazohemi me personazhin e Daniel Defoe në librin e titulluar “Robinson Cruose”. Nëpërmjet tij do të argumentoj se prodhimi është tregues I zhvillimit të vendit.

Z. Cruose ishte i mbijetuari i vetëm i një tragjedie detare. I vetëm në atë ishull ai duhet të mbijetoj. Për të mbijetuar atij i duhet të punojë. Z. Cruose i duhet të kap peshkun, të rrit perimet dhe të vras kafshë që të krijoj rroba. Për këto atij i duhen vegla. Duhet t`i shpik ato. Për t`i krijuar veglat, atij i duhen njohuri të cilat supozojmë se i ka. Kapja e peshkut, prodhimi i perimeve, gjahu, ndërtimi i një kasolleje e përbëjnë një ekonomi të vogël. Kjo ekonomi atij do t`ia përcaktojë cilësinë e jetës. Nëse Cruose është i zoti në kapjen e peshkut, është bujk i mirë e gjuetar i zoti , themi se zotria jeton mirë. Nëse është i pazoti, atëherë ai është i varfër. Sikurse ne. Pra, standardi jetësor i Cruose-s është i lidhur ngushtë me atë çka prodhon, tamam sikurse Shqipëria komuniste e viteve 1975-1991. Nëse do të gjente një vend më të mirë për kapjen e peshkut , prodhimin e perimeve , produktiviteti i tij do të rritej dhe standardi i tij do të rritej njëtrajtshëm.

1.

Crusoe do të ishte më produktiv nëse veglat të cilat ai i shpiku do të ishin më të përshtatshme . Veglat në këtë rast janë kapital ose input që përcaktojnë produktivitetin në punë. Nëse ai do të përdorte teknologjinë e sotshme të prodhimit të perimeve apo teknikat e kapjes së peshkut , atëherë ai do të ishte shumëfish më produktiv. Pra, për një vend i cili do të zhvillohet , inputet janë shumë të rëndësishme në produktivitet . Sa për ilustrim , vendet si në SHBA apo Franca, në shekullin XVIII dhe XIX kishin 70% të popullatës që ishin të punësuar në sektorin e bujqësisë. Sot këto dy shtete kanë 3% , gjegjësisht 2 % . Sasia e prodhuar është e pakrahasimisht më e lartë .

2.

Kapitali njerëzor është një përcaktor tjetër i produktivitetit. Kapitali njerëzor, në vendin tonë nënkupton sasinë e njerëzve të aftë për punë. Por në botën e ekonomisë, kapital njerëzor nënkupton aftësitë që përvetësojnë punëtorët të fituara nëpërmjet arsimit , kualifikimit apo përvojës. Me aftësitë e fituara në shkollën fillore, të mesme, fakultete apo trajnime, kapitali njerëzor njësoj kontribuon në aftësinë e një kombi për të prodhuar mallra dhe shërbime. Kapitali njerëzor për t`u prodhuar i duhen inputet në trajtën e mësueseve, pedagogëve, bibliotekave, etj.

3.

Burimet natyrore janë faktori i tretë i produktivitetit. Vende me fat si vendet e Gjirit Persik, apo vende të tjera të pasura me naftë dhe gaz natyror përdorin burimet e tyre natyrore në funksion të zhvillimit ekonomik . Vende si ai i Cruose-s janë të pasura me peshq dhe fruta e perime. Ne këtë fat nuk e kemi. Deti është larg dhe kemi pak tokë. Prandaj në burime natyrore vendi ynë nuk ka ku të mbështetet përpos në thëngjill , edhe ashtu jo kalorik . Por , kjo nuk është përcaktori kryesor se vendi do të jetë i varfër sepse kështu deshi Zoti. Japonia , një ndër vendet më të zhvilluara sot , shumicën e burimeve natyrore ajo i importon duke i kthyer ato në produkte përfundimtare që asaj i sigurojnë mirëqenie . Ajo përdor inpute tjera, psh. kapitalin njerëzor apo pikën e katërt që do ta diskutoj e që është Njohuritë teknologjike .

4.

Njohuritë teknologjike ka të bëjë me të kuptuarit se si prodhohen gjërat dhe se si ne mund t`a përdorim aftësinë tonë që burimet natyrore t`i kthejmë në të mira shoqërore. Njohuritë teknologjike bën që në botën e zhvilluar të punojnë në sektorin e bujqësisë 2%-4% e krahut të punës dhe të ushqejnë tërë popullatën e tyre dhe në të njëjtën kohë realizojnë eksporte. Shekuj pas tragjedisë së Cruose-s , ne nuk nxorëm mësime. Nuk mundëm ta kuptojmë se prodhimi është baza e zhvillimit dhe jo vetëm ndërmjetësimi tregtar. Nuk mundëm ta kuptojmë se kapitali njerëzor është prodhimi I njerëzve që dijnë të punojnë e jo sasia e tyre. Nuk mundëm ta kuptojmë se burimet e pakëta natyrore duhen shfrytëzuar racionalisht apo dhe t`i importojmë me qëllim që t`ia ngrisim vlerën duke punuar në të. Nuk mundëm ta kuptojmë se prodhimi i kapitalit njerëzor është produkt final i aftësisë së sistemit tonë arsimor dhe fal këtij të fundit kapitali njerëzor i Kosovës është numër dhe jo cilësi. Me burime të pakta natyrore Kosova ka një shancë për zhvillim. Njohuritë teknologjike. Përfundimisht këtë shancë po ia vret politika me korrpucion, mësuesit me paaftësinë e tyre për të prodhuar kapital njerëzor dhe drejtësia e cila vendos vdekjen klinike të shtetit. Ky vend po shëndrrohet ne vendin e disa njerëzve që zotërojnë këtë pak pasuri që ka mbetur. Vendi është çdo ditë e më i paktë në numër , sepse vendi po braktiset . Njerëzit emigrojnë, ose qeveria po e kthen këtë emigracion në mall për të fituar para nga jashtë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme