Në Maqedoni sot është dita e dytë e zisë pas fatkeqësisë së autobusit, ku në rrugën Shkup – Tetovë jetën e kanë humbur 14 persona, ndërsa 37 janë lënduar, pasi te fshati Llaskarcë është rrokulisur një autobus i kompanisë “Durmo turs”. Në gjendje kritike, sipas informatave të fundit janë pesë nga të lënduarit, prej të cilëve dy janë hospitalizuar në SPQ “8 Shtatori”, ndërsa tre në klinikat e Shkupit.
Institucionet kompetente e kanë konfirmuar identitetin e viktimave, ka përfunduar ekspertiza në vendin e fatkeqësisë, ndërsa autobusi është dërguar në ekspertizë. Siç informoi dje Prokuroria publike, intensivisht punohet në konfirmimin e të gjitha shkaqeve për fatkeqësinë.
Autobusi i kompanisë “Durmo turs” që doli nga rruga dhe është rrokullisur në afërsi të rrugës së vjetër, është ngritur nga vendi i fatkeqësisë dhe me urdhër të prokurorit publik ndaj tij do të bëhet ekspertizë e hollësishme teknike nga ana e Fakultetit makinerik në Shkup. Nga njohuritë e deritanishme u konfirmua se autobusi u furnizua në vitin 2001, ndërsa për herë të fundit u regjistrua në janar të vitit 2019. Mendim duhet të dorëzojë edhe Byroja për ekspertizë gjyqësore.
Analiza e gjakut dhe urinës tek shoferi, i cili ishte i hospitalizuar për shkak të lëndimeve, ka treguar se në momentin e fatkeqësisë te ai nuk u regjistrua prani e alkoolit, ilaçeve ose substancave psikotrope. Në mënyrë shtesë do të konfirmohet nëse në momentin e fatkeqësisë e ka përdorur celularin.
“Durmo turs”, megjithatë, duhet të parashtrojë dokumentacion të plotë për lejet që i posedon për transport publik, për mirëmbajtjen e automjeteve, numrin e udhëtarëve dhe biletave të shitura në autobus, si dhe të dhëna për kohën e punës dhe relacionet të cilat i ka kaluar shoferi në ditën kritike.
Prokuroria ka paralajmëruar vendim për sigurimin e të gjitha dëshmive, dokumentacionin e plotë relevant, protokollet e autopsisë, dokumentacionin mjekësor për lëndimet e udhëtarëve tjerë, raportet për ekspertizat e ardhshme, marrjen në pyetje të shoferit, të udhëtarëve në autobus dhe dëshmitarëve të ngjarjes.
Pas fatkeqësisë, Qeveria në seancë të jashtëzakonshme ka shpallur dy ditë zie në tërë shtetin. Seanca komemorative kanë mbajtur komunat Gostivar dhe Vrapçishtë, prej ku janë të vdekurit nga fatkeqësia, në prani të kreut shtetëror dhe delegacioneve qeveritare dhe partiake.
Ngushëllime deri te familjet dhe qytetarët e Maqedonisë kanë shprehur edhe politikanë nga shumë shtete në fqinjësi dhe më gjerë, si dhe nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.