Mbi 20 të vdekur dhe mbi 600 të lënduar është bilanci i fundit i ditës tragjike shqiptare që nisi me tërmetin e fuqishëm 6.4 ballë, që ka goditur Shqipërinë në orën 03:54 minuta pas mesnatës.
Ky është tërmeti i dytë më i madh pas atij të vitit 1979 që goditi Shkodrën, dhe një ndër 55 tërmetet më të forta që kanë goditur Shqipërinë që nga periudhat e hershme, kur kanë filluar të regjistrohen tërmetet. Lëkundjet e fuqishme të tërmetit që prekën gjatë natës duke u gdhirë e martë Shqipërinë kanë shkaktuar përveç viktimave dhe dëme materiale në rajonin e Durrësit, ku dhe kishte epiqendrën, por edhe në rajonin e Tiranës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Numri i viktimave të tërmetit është rritur nga ora në orë, duke arritur në orët e mbrëmjes në mbi 20 persona që kanë humbur jetën, mes tyre 2 fëmijë, ndërkohë që numërohen mbi 600 të plagosur, ku 30 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Në mesin e viktimave janë edhe dy vëllezër nga Gjilani i Kosovës. Shemsedin dhe Isa Abazi, ishin prej pesë ditësh në Shqipëri për punë. Në orët e para të ditës së martë, pas rënies së tërmetit, dy të rinjtë nga Kosova ishin gjallë dhe kërkuan ndihmë përmes telefonit, por nuk arritën që të mbijetonin.
Gjithsej deri në orët e mbrëmjes së martë janë shpëtuar 45 persona në Thumanë e në Durrës, të cilët janë nxjerrë nga rrënojat e pallateve të shembura. Operacioni i kërkim-shpëtimit ka vijuar gjatë natës, sipas autoriteteve, edhe pse me rënien e errësirës shtohen vështirësitë. Pranë zonave ku ka pasur shembje është vendosur ndriçim për të mundësuar një fushëpamje sa më të mirë, por është një luftë me kohën.