Bota moderne nis me një fjali të thjeshtë: “A mund të më kursesh shpenzimet për 500 kuaj?”
Në një mëngjes me shi në vitin 1711, Tomas Njukomen qëndron në punishten e tij dhe mezi u beson syve.
Një përfaqësues i një kompanie të madhe britanike mineralesh, qëndron përpara farkëtarit. Në valixhe ka një kontratë tejet fitimprurëse për Njukomenin – zhvillimin e një makine të re që do të jetë në gjendje të pompojë ujë nga nëntoka.
Kushti i vetëm: duhet të kushtojë më pak se sa zgjidhja e mëparshme, ku qindra kuaj vinin në punë pompën e ujit. Por në vitin 1712, Njukomen ia del mbanë në përpjekjen e tij ambicioze.
Duke përdorur të parin motor funksionues me avull, ai vë në punë një pompë uji dhe është në gjendje të thajë një pus të tërë miniere në Dudley Castle, Staffordshire.
Për sektorin minerar është një gurthemeli teknologjik dhe shtyn njerëzimin në një epokë të re. Dhe ndonëse industrializimi në Angli lind dhe shumë shpejt përhapet në të gjithë Europën, ajo që përfiton më shumë është SHBA.
“Pa motorin me avull, sot Amerika do të ishte një vend i madh i botës së tretë”, shpjegon historiani Paul Kennedy i Universitetit Yale.
Në atë kohë, Amerika ishte një vend i madh pa infrastrukturë. Vetëm me zhvillimet që solli industrializimi, Amerika mundi të modernizohet: hekurudhat lidhën lindjen me perëndimin në 1869 dhe motorrët me avull rrisin eksportet e mallrave.
Rezultati do të ishte një bum ekonomik i pakrahasueshëm. Vendi që ende luftonte për pavarësi nga Britania në fundin e shekullit 18, ia kalon një Europe në stagnim brenda pak dekadash pas futjes së motorit me avull.