“Ditët Austriake” – SPAR promovon produktet austriake në Prishtinë

Prishtinë | 21 Shk 2023 | 09:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike Austriake, në bashkëpunim me rrjetin e dyqaneve “SPAR”, po organizon “Ditët Austriake”, me qëllim të promovimit të produkteve austriake në Kosovë. Promovimi do të jetë i hapur për tri ditë radhazi, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm ishin ambasadorë, ministra të kabinetit qeveritar e përfaqësues të bizneseve kosovare, të cilët patën mundësinë të degustonin specialitete tradicionale të njohura për kulturën austriake, si: “Weiner Schnitzel”, “Backhendl”, “Tafelspitz”, “Kartofelpuree”, e shumë të tjera.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e vlerësoi lart bashkëpunimin e mirë ekonomik Kosovë-Austri, me treguesit në rritje të shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve.

“Austria në mesin e 5 vendeve kryesore me investime në Kosovë,  është një nga partnerët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, gjersa kjo po dëshmohet me rritjen e eksporteve të Kosovës në Austri për 21%  në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021 dhe rritjen e importeve të Austrisë në Kosovë për 17.4%, për periudhën e njëjtë kohore”, tha ministrja Hajdari.

Ajo njoftoi për punën e qeverisjes në reformat legjislative për zhvillim të sektorit privat dhe rritje të konkurrueshmërisë, për një ambient të shëndoshë për të bërit biznes dhe për rritje e kujdes të investimeve në Republikën e Kosovës. 

Para të pranishmëve, ministrja Hajdari shpalosi edhe një nga tregimet e suksesit, në investimet e biznesit vendor në partneritet me një nga bizneset evropiane në industrinë ushqimore, e cila industri ka një përqindje të lartë të Vlerës së Shtuar të Prodhimit (VShP) për kokë banori në Kosovë. Ajo shtoi se, ndërmarrësit tanë të suksesshëm synojnë për investime në prodhim në sektorë të ndryshëm industrial, në bashkëpunim me partnerët e tyre evropian nga të cilët sot importojnë dhe furnizojnë tregun vendor.

Duke vënë në theks programin dhe reformat e tanishme për të bërit biznes, Ministrja Hajdari i ftoj bizneset austriake që të investojnë në industrinë ushqimore dhe sektorë tjerë në vendin tonë, me shumë përparësi konkurruese dhe siguri për investime, duke shtuar se këto investime do të jenë sukses edhe për ata.

Agon Gashi, nga rrjeti i markete “Meridian”, tha se puna e tyre ka filluar nga viti 2002. Si sipërmarrës të rinj, Gashi tha se për herë të parë kanë filluar me importimin e pijeve “Rauch”, teksa më vonë edhe me pijen energjetike Redbull.

“Unë dua të flas shkurt, por dua ta ndajë një histori që reflekton punën tonë dhe bashkëpunimin tonë me Austrinë për 20 vjet. Ne si familje filluam importin dhe punën me ‘Rauch Brand’ në vitin 2002 dhe është bërë më shumë se 20 vjet që ne kemi bërë më të mirën tonë dhe me mbështetjen e kompanisë austriake gjithashtu edhe ambasada austriake sigurohet që të promovojë produkte kualitative nga Austria në Kosovë, më vonë ne nënshkruam një marrëveshje me Redbull, dhe ne jemi distributor i Redbull-it dhe është bërë më shumë se 14 vjet tani që ne punojmë me Redbullin dhe ne kemi parë një rezultat shumë të mirë dhe bashkëpunimi me brende austriake”, tha Gashi.

“Për mua personalisht dhe për miqtë austriakë dhe të tjerët e bëjnë jetën tonë më të lehtë sepse ne tentojmë të mësojmë nga njëri tjetri, të mbështesim dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin që të bëhemi biznesmenë më të mirë, sipërmarrës më të mirë dhe gjithashtu të mësojmë më shumë për kualitetin, mësojmë më shumë për të ardhmen dhe trendet industriale dhe zhvillimin në përgjithësi. Totalisht pajtohem me ministren se është koha që ne t’i shikojmë mundësitë që të sjellim më shumë nga Austria në Kosovë”, tha Gashi.

Ambasadori austriak, Weidinger, dhe shefja e zyrës komerciale të “Advantage Austria” në Kosovë, Vjosa Huruglica, shprehën theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në aspektin politik dhe ekonomik.

Të pranishëm në hapje, përveç Ambasadorit Austriak, Christoph Weidinger, ishin edhe përfaqësues të bizneseve kosovare që janë partnerë të bizneseve austriake, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare dhe miq të Austrisë në Kosovë.

Të ngjashme