Djali i gjeneralit Shaban Shala kritikon Haradinajn: E ka neglizhuar familjen tonë

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Me medaljen “Me BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka nderuar familjarët e të rënëve për liri.

Përveç vizitave të shumta në familjet e të rënëve për liri, së fundmi ai ka ndarë edhe medalje për ta.

Megjithatë, për vizitë Haradinaj nuk i ka shkuar familjes së gjeneralit Shaban Shala, ndonëse familajrë të tij thonë se kanë një lidhje shumë të afërt me familjen Haradinaj.

Djali i gjeneralit Shala, Xheladin Shala, në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ka thënë se Haradinaj po e neglizhon familjen e tij dhe se tashmë që 22 vite nuk e ka vizituar asnjëherë.

Ai ka thënë se familja e tij nuk e ka merituar një sjellje të tillë nga Ramush Haradinaj.

“Familja jonë nuk e ka merituar një gjë të tillë nga Ramushi. Ne njihemi me Ramushin shumë më herët, por tash e 22 vite Ramushi e neglizhon familjen tonë dhe nuk e ka vizituar. Duke parë vizitat e tij kohën e fundit, më ka shtyrë të reagojë. Sjelljet e Ramushit nuk kam mundur t’i arsyetoj. Ramushi duke na njohur dhe duke e ditë rëndësinë e familjes tonë ose në shoqëri ose afërsinë që e kemi pasur, nuk është dashur ta anashkaloj”, ka thënë ai.

Shala është shprehur se baba i tij, asnjëherë nuk i ka ndalur vizitat te familja Haradinaj dhe se ai gjithmonë do të ketë respekt për ta.

Ndërsa, ai ka thënë se ka marrë mbështetje edhe nga anëtarët e AAK’së për reagimin e tij ndaj Ramush Haradinaj.

“Ne kemi një lidhje shumë të afërt me familjen Haradinaj, nuk e zbeh sjellja e Ramushit respektin ndaj familjes së tij, unë prap kam respektin e njëjtë. Unë kam marrë mbështetje nga anëtarët e AAK’së dhe nga miqtë e mi. Më përgjithësi më kanë thënë që kam bërë mirë që ja kam shpreh, sepse vetëm duke rikujtuar në këtë mirë do të përmirësohen”, ka shatuar ai.

Të ngjashme