Ua kam bërë edhe më herët këtë pyetje: “Si do donit t’ju mbajë mend historia?” Është në dorën dhe ndërgjegjen tuaj, Z. Edi Rama, të vendosni se çfarë do shkruhet për ju në librat e historisë së popullit tonë! Dhe nëse keni pakëz shpirt dhe ndjenja, vetëm imagjinoni çfarë dhembje kemi ne, shkruan Artan Hoxha, djali i Remzi Hoxhës i vrarë e zhdukur prej 21 tetorit të vitit 1995
I nderuari Z. Edi Rama,
Në takimin tonë të parë, 4 muaj pasi u bëtë kryeministër ju na thatë që “para vitit 2017 nuk do mund të bënit asgjë rreth rastit të babait tim”. Kjo na u duk si një shuplakë e vogël, sepse do duhet të kishim durim edhe 4 vite, por duke ditur kompleksitetin e rastit dhe faktit që kryetari i shtetit i cili në atë kohë kontrollonte gjithë sistemin e drejtësisë ishte i lidhur ngushtë me kriminelët që zhdukën babain tim, megjithatë shprehëm mirëkuptim. 2017 erdhi dhe gati po shkon. Unë dhe familja ime sinqerisht besojmë se ju kishit dhe akoma keni vullnetin për ta zbardhur këtë rast dhe të na i lehtesoni dhimbjet sadopak.
E shohim se keni treguar vullnetin tuaj për të sjellë drejtësi në Shqipëri, duke bërë vetingun, pastruar kriminelët nga sistemi i drejtësisë, etj. Por, familja jonë dhe të gjithë shokët dhe bashkëveprimtarët e babait tim nga Kosova e Maqedonia, të cilët punuan dhe sakrifikuan çdo gjë që shqiptarët të jetojnë të lirë dhe në paqe, mbeten shumë të zhgënjyer dhe të tradhtuar.
Mosbardhja e rastit të babait tim është edhe përkrahje e krimeve të kriminelit dhe antishqiptarit më të madh të të gjitha kohërave, Sali Berishoviç, atij që ia kalon edhe Esat Pashë Toptanit, dhe që historia do ta vërtetojë.
Fatos Nano sa ishte në pushtet nuk kishte vullnetin që të merrej me zbardhjen e rastit të babait tim, dhe me pas u vërtetua se ai ishte mik i ngushtë me Sali Berishoviç. Shpresoj të mos zhgënjehemi edhe nga ju sepse ju jeni shpresa e vetme që edhe në si familje kemi, por besoj edhe gjithë shqiptarët në mbarë botën. Po dolët edhe ju të jeni mik i Sali Berishoviç atëherë “vaj vatani e mjerë mileti…”
Kërkojmë nga ju që ta veni në prioritet të lartë zbardhjen e rastit të babait tim, Remzi Hoxha. Bababi im meriton më shumë se kaq. Një njeri që ka sakrifikuar dhe dhuruar shumë që shqiptarët, kudo që jetojnë, të kenë një jetë dhe të ardhme më të mirë, andaj edhe u zhduk nga dora e zgjatur e Serbisë dhe miku e bashkëpuntori i tyre i ngushtë, Sali Berishoviç.
Kemi 2 kërkesa për ju: kapeni Budjon Meçen, që sillet i lirë akoma dhe nuk kerkohet nga drejtesia edhe pse ishte një ndër të implikuarit kryesor të rastit, dhe kapeni Ilir Kumbaron që ai të tregojë në detaje se çfarë i kanë bërë babait tim dhe ku e kanë hedhur trupin e tij. Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe ishin personat që fizikisht torturuan dhe vranë babain tim dhe ata akoma sillen të lirë. Ata do të dëshmonin edhe për Sali Borishoviçin, edhe për Bashkim Gazideden edhe për Arben Sefgjinin, sepse ishin këta 5 veta që ishin ekipi i opercionit të zhdukjes së babait tim.
Ua kam bërë edhe më herët këtë pyetje: “Si do donit t’ju mbajë mend historia?” Është në dorën dhe ndërgjegjen tuaj, Z. Edi Rama, të vendosni se çfarë do shkruhet për ju në librat e historisë së popullit tonë! Dhe nëse keni pakëz shpirt dhe ndjenja, vetëm imagjinoni çfarë dhembje kemi ne!
Ardian Hoxha