Demokracia në Veprim (DnV), e cila vëzhgon procesin zgjedhor, ka evidentuar disa parregullsi në orët e para.
Albert Krasniqi nga kjo organizatë, në një konferencë për medie, bëri të ditur se DnV është duke bërë vëzhgimin e procesit të votimit në 1 777 vendvotime në tërë Kosovën në 19 komuna, ku po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve; sikurse dhe në Partesh ku po përsëriten zgjedhjet.
“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 12 vendvotime, 50% e të cilave lidhen me vonesën e komisionerëve. Komunat ku ka pasur vonesë në hapje janë Prizreni (në 5 raste), Suharekë (në 3 raste), Prishtinë (në 2 raste) dhe Klina dhe Rahoveci (nga një rast)”, tha Krasniqi.
“Në qendrën e votimit 2042 A në vendvotimin 07R në shkollën e 11 Marsi në komunën e Prizrenit, kryesuesi i vendvotimit nuk është paraqitur në vendvotim deri në orën 7:30. Procesi më pastaj ka rrjedhur normalisht”.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar, gjithashtu, për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100 metra të Qendrës së Votimit. “Kjo dukuri e sanksionuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), nenin 85, është vërejtur në 19 Qendra Votimi ose 3 % të QV në nivel vendi. Komunat ku janë shënuar këto raste janë: Gjilani, Podujeva, Prizreni, Suhareka (me nga 3 raste), Malisheva (me 2 raste)”.
Nga terreni raportohet se në 3.4% të vendvotimeve (ose 60 VV) në nivel vendi kanë munguar materialet zgjedhore. Prijnë komuna e Gjilanit dhe Mitrovicës (me nga 8 raste), Klina dhe Prishtina (me nga 7 raste) dhe Gjakova (6 raste).
Në 10 vendvotime në nivel vendi vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të më pak se tre komisionerëve në vendvotim. Komunat ku kjo dukuri ka qenë më e shprehur janë: Prizren (në 3 raste), Rahoveci (në 2 raste).
Krasniqi foli gjithashtu për prani tëe personave të paautorizuar në vendvotime. “Prania e personave të paautorizuar është vënë re në 44 raste, ose 2.6% të vendvotimeve e shprehur më shumë në komunat e Mitrovicës (në 7 raste), Prishtinës, Gjakovës dhe Gjilanit (në 6 raste)”.
Parregullsi të tjera të shënuara nga DnV janë: Qendra e votimit 0805 C në shkollën “Ali Krasniqi” në komunën e Klinës në ora 07:45 është goditur nga jashtë me gurë, duke i dëmtuar derën e hyrjes. Policia ka qenë në vendin e ngjarjes, autorët nuk janë identifikuar.
Është raportuar për raste ku disa persona kanë votuar jashtë kabinës së votimit, në shkollën “Hysni Zajmi”, QV 0606C, vendvotimi 04R në komunën e Istogut.
DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. DnV ju rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim.