Demokracia në Veprim përmes ekipeve mobile ka vazhduar të vëzhgoj procesin e votimit në Komunën e Istogut, ku është duke u rivotuar për kryetar të komunës. Në përgjithësi procesi i votimit ka vazhduar të rrjedhë normalisht, përderisa qytetarët kanë pasur mundësi të votojnë të papenguar.
Prej parregullsive për të cilat kemi raportuar në pjesën e paradites, e që ka vazhduar të përcjellë procesin edhe pasdite, ka qenë votimi me asistencë.
Në disa prej vendvotimeve vëzhguesit tanë kanë raportuar për asistencë deri në 20% të numrit të përgjithshëm të votuesve që kanë votuar në ato vendvotime.
Në vendvotimet tjera, kryesuesit e Këshillave të Vendvotimeve janë duke regjistruar asistimet në Librin e Votimit, por që kjo shifër e lartë përbënë shqetësim për ne, sidomos kur votuesi e ri në moshë kërkojnë asistencë, prandaj Prokuroria e Shtetit do të duhej të verifikojë nëse këto raste janë të ndërlidhura me veprën penale cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve.
Në vendvotimin 0606C/04R, në fshatin Vrellë, gruaja i ka treguar fletëvotimin e plotësuar burrit të saj, pasi i njëjti fillimisht kishte deklaruar se gruas së tij i duhet asistencë në votim. Mirëpo nuk i është lejuar pasi nuk kishte me vete dokumentin e identifikimit.
Në tri raste kemi vërejtur votim me dokumente të identifikimit të cilat nuk parashihen me Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, siç është Certifikata e lindjes e cila nuk ka fotografi të votuesit. Rast më eklatant është në Qendrën e Votimit 0623C, në fshatin Cerkolez, ku një votues është lejuar të votojë me pasaportë të ish-Jugosllavisë.
Në vendvotimin 0608C/02D, në fshatin Rakosh është evidentuar një rast i votimit të hapur.
Në qendrën e votimit 0617C/01R, në fshatin Turbuhovc një votues ka treguar hapur preferencën e tij.
Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në fshatin Banjë e Pejës në vendvotimin 0602C/04R. Në të njëjtin vendvotim, punën e zyrtarit për spërkatje të gishtërinjve e kryente një vëzhgues.
Në qendrën e votimit 0621C, në fshatin Kaliqan, kontrollimi me llambë ultra violetë, nuk po bëhet në mënyrë të rregullt në të gjitha rastet duke kontrolluar vetëm njërën dorë.
DnV fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të marrin pjesë në zgjedhje dhe të vendosin për qeverisjen katër vjeçare.