Do festonte me shqiptarët Ditën e Flamurit, Basha anulon vizitën në Athinë

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka anuluar vizitën në Athinë, ku kishte planifikuar të festonte bashkë me shqiptarët në Greqi, Ditën e Flamurit.

Më pas, ai ishte i ftuar të merrte pjesë në Kongresin e Nea Demokracisë. Lajmin e anulimit të vizitës së Bashës e njoftoi kreu i degës së PD në Athinë, Fatmir Gjoçi.

“Arsyeja është e kuptueshme. Pas situatës së vështirë që po kalon vendi ynë, për shkak të fatkeqësisë natyrore që shkaktoi humbje jetësh, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, e anuloi vizitën e tij në Athinë”, shkruan kreu i degës së Athinës.

Siç i kishte lajmëruar më herët bashkëatdhetarët, kreu i degës së Athinës bën të ditur se në agjendën e Bashës ishin dy takime kryesore: pritja festive me shqiptarët e Greqisë në 28 Nëntor dhe pjesëmarrja në Kongresin e Nea Demokracisë, i ftuar nga kryeministri grek Kyriakos Micotaqis.

“Zoti Basha kishte planifikuar një sërë takimesh, me Kryeministrin e Greqisë z. Micotakis, Ministrin e Punëve të Jashtme z. Nikos Dendias dhe një sërë personalitetesh të larta të shtetit helen, si dhe personalitete ndërkombëtare diplomatike, që ishin të ftuar në Kongres.”- thekson Fatmir Gjoçi, kreu i degës së PD-së në Athinë, i cili shpreh ngushëllimet e përzemërta për familjet që humben njerëzit e tyre dhe uron shërim sa më të shpejtë për te të lënduarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme