Dogana e Kosovës këtë vit ka grumbulluar rreth 1.2 miliard euro, apo 40 milionë më shumë se vitin paraprak.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha në një intervistë për Ekonomia Online, vitin 2019 po e vlerëson shumë të suksesshëm, pasi që thotë se pavarësisht politikave fiskale që liruan prodhuesit kosovarë nga të gjitha taksat për lëndën e parë, arritën të tejkalojnë parashikimet.
“Sa i përket të hyra këtë vit pritet të grumbullohen 1.2 miliard euro nga dogana që është diku një rritje rreth 40 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo tregon një performancë jashtëzakonisht të mirë të doganës në aspektin e të hyrave duke marr parasysh se kemi në fuqi shumë politika fiskale që i kanë liruar shumë produkte nga taksat. Sidomos për prodhuesit kosovarë ku Qeveria e Kosovës tash e dy vite prodhuesit kosovarë i ka liruar nga të gjitha taksat për mallrat të cilat përdoren në proces të prodhimit, apo për të gjitha imputet që përdoren në proces të prodhimit duke përfshirë edhe lëndët djegëse, karburantet që mund të shërbejnë gjatë procesit të prodhimit. Efekti i vetëm i këtyre lëndëve që përdoret për proces të prodhimit është diku rreth 80 milionë euro”, thotë ai.
Berisha thotë se lirimet nga taksa për prodhuesit vendës i kushtuan shtetit 150 milionë euro, por pavarësisht kësaj arritën të kenë 40 milionë euro më shumë të hyra.
Ai shpreson që edhe vitin e ardhshëm të vazhdojë ky trend i rritjes dhe rimëkëmbjes së ekonomisë vendëse.
“Nëse kësaj ia shtojmë edhe ndikimin e MSA-së që do të jetë rreth 65 milionë euro në vitin 2019, por edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë që e ka një efekt të vogël, tregon se të gjitha lirimet në taksa janë rreth 150 milionë euro. Nëse i marrim këto 150 milionë euro dhe në anën tjetër krahasojmë që kemi 40 milionë euro më shumë tregon që Dogana ka treguar një performancë jashtëzakonisht të mirë në të hyra. Ky trend i të hyrave të Doganës vazhdon dhe shpresojmë që vitet e ardhshme do të forcohet ekonomia vendore dhe të hyrat do të mblidhen më shumë nga brendia pra nga ATK-ja”, thotë ai.
Kosova është vend që rreth 90 për qind varet nga importi i produkteve, si ushqimore ashtu edhe të tjera, ndërsa tri produktet kryesore që po mbushin arkën e shtetit sipas Berishës, mbeten karburantet, veturat dhe duhani.
Këto tri produkte përbëjnë mbi 50 për qind të totalit të të hyrave nga importi.
“Në baza vjetore nëse e marrim se cilat janë tri produktet që sjellin të hyra më shumë për buxhetin e Kosovës vazhdojnë të jenë të njëjtat. Janë karburantet, duhani dhe automjetet. Të gjitha këto tri produkte përbëjnë mbi 50 për ind të totalit të të hyrave që ne i importojnë. Por ne importojmë edhe ushqime, dhe të gjitha produktet tjera. Diku konsumi i duhanit në Kosovë është rreth 3 mijë tonë, ku vetëm taksa shkon rreth 200 milionë euro. Pastaj automjetet i kemi mbi 100 milionë euro të hyra. Nga karburantet i kemi mbi 300 milionë të hyra. Pra këto janë tri produktet që kosovarët i shpenzojnë më së shumti. Te këto produkte ndikon edhe akciza”, thotë ai.
Këtë vit u importuan rreth 100 mijë kg mjete piroteknike
E një produkt që në tri vjetët e fundit ka shënuar rënie të theksuar mbetet mjetet piroteknike që përdoren kryesisht për festat e fundvitit.
Kreu i Doganës thotë se para vënies së akcizës për këtë produkt importoheshin rreth 1 milion kilogram.
Tani thotë se kjo shifër ka rënë dhjetëfish.
“Po nëse flasim për mjetet piroteknike prej hyrjes në fuqi para tri vjetëve të taksës së akcizës kemi rënie të sasisë së importit të këtyre mjeteve. Kemi pasur diku rreth 1 milion kilogram që janë importuar në baza vjetore, tani kemi diku rre th 100 kilogramëve të cilat importohen në baza vjetore mjete piroteknike të cilat kryesisht përdoren për festat e fundvitit por edhe për festa të tjera kombëtare”, thotë Berisha për eo.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka kërkuar nga komunat që të ndalojnë ndezjen e fishekzjarrëve për shkak të ndikimit negativ në mjedis.