Në sallën e pingpongut në Prishtinë, u mbajt Kampionati individual në pingpong për veteran. Morën pjesë 30 pingpongistë nga klubet e Kosovës.
Garat u zhvilluan në dy disiplina: individuale dhe çifte meshkuj në grupmoshat: 40-49, 50-59 dhe mbi 65 vjeç (nuk pati lojtarë në grupmoshën 60-64 vjeç).
Në një atmosferë miqësore e sportive, veteranët kaluan një ditë të bukur me nga pak lojë, shoqërim, humor e ndonjë batutë për të mbajtur nivelin e tyre të aftësive fizike por edhe për të shijuar kënaqësitë që ofron pingpongu, si sport atraktiv.
Grupmosha mbi 65 vjeç, si zakonisht ka simpatinë më të madhe andaj çdo pike e fituar nga ata ka efektin e më shumë se një pike garuese. Pasi luajtën në 2 grupe secili me secilin, dy të parët e grupeve u takuan në gjysmë finale.
Më të moshuarit ishin Faik Çitaku, Prishtinë e Xhemajl Cecelia Vushtrri, krahas Shaip Reqicës Prishtinë, Gani Mulakut Vushtrri, Hamëz Kastratit Prizren e Vehbi Raçit Ferizaj.
Shaip Reqica e Cecelia dolën të parët e grupit mbi 70 vjeç, kurse Vehbi Raqi e Hamëz Kastrati nga 65-70 vjeçarët. Reqica e mundi Raqin, kurse Cecelia Kastratin. Në finale Reqica tregoi përgatitje më të mire dhe me lojën e tij specifike me gomë defensive e topa të lartë e vuri në vështirësi rivalin duke ia imponuar lojën e tij dhe me meritë u shpall kampion për grupmoshën mbi 65 vjeç.
Grupmosha më masovike, si zakonisht është ajo 50-59 vjeç, ku garuan në katër grupe secili me secilin për tu kualifikuar në shortin kryesor dy të parët e grupeve. Në çerekfinale, Nehat Çitaku Prishtinë e mundi Bashkim Vatovcin Vushtrri, Abedin Bahtiri Prishtinë –Ismet Gashin THerandë, Remzi Shala Prizren Sadri Hulajn Prizren dhe Kasum Morina Mushtisht Avdyl Gashin Therandë.
Në gjysmëfinale Çitaku, pas një loje cilësore e me rivalitet e mundi Bahtirin me 3:1 në sete, kurse Kasum Morina ishte më i mire se Remzi Shala. Në takimin final, Kasum Morina në saje të lojës së tij të mire defensive arriti ti imponohet dhe ta mundë Çitakun e favorizuar për të fituar titullin e kampionit.
Grupmosha 40-49, pati më së shumti rivalitet duke pasur parasysh freskinë e lojtarëve dhe cilësitë e përafërta. Pas ndeshjeve në grupe, për në gjysmë finale u kualifikuan Besart Domaniku Prishtinë dhe Alimemet Kaçaniku Prizren, kurse nuk e kaluan grupin Fadil Luta Prishtinë (një fitore) dhe Mejtim Bytyqi Therandë (dy fitore) e Naim Azemi Vushtrri.
Në grupin e dytë Jeton Beqiri Ferizaj, Eroll Karabaxhaku Prizren e Hamzi Ajeti Viti paten pike të njëjta por pas kalkulimit të rezultateve nga duelet direkte Karabaxhaku dhe Beqiri kaluan më tej. Në këtë grup befasoi me mos kualifikim Eroll Boshnjaku Prizren që iu bashkangjit Bashkim Gashit Vushtrri.
Në gjysmëfinale Besart Domaniku e mundi Beqirin, kurse Kaçaniku Karabaxhakun. Në finale, Kaçaniku i bëri rezistencë të forte Domanikut (i pari në ranglistën e seniorëve), por nuk qe e mjaftueshme për tia marrë titullin Domanikut që e mban me fanatizëm që prej se është bërë veteran.
Në garën e çifteve ishte kjo renditje:
1.Kaçaniku/Boshnjaku
2.Hulaj/Morina
3.Çitaku/Domaniku
3.Beqiri/Karabaxhaku
Më të mirët u shpërblyen me medale, Kupa e mirënjohje.