Këshilltari nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Flamur Shala, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë, për arsye të angazhimeve të tjera jashtë Prishtinës.
Ai dorëheqjen ia ka dërguar kryesuesit të Kuvendit, Halim Halimit. Këtë e ka bërë përmes një letre, të cilën po e publikojmë të plotë në vazhdim.
“I nderuar kryesues i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, z. Halim Halimi,
Duke qenë i emëruar u.d. dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prizrenit, që nga dita e emërimit, më 21.03.2017, asnjëherë nuk jam ndier rehat se mund t’i mbajë dy pozita udhëheqëse dhe politike – të jem anëtar i Kuvendit të Prishtinës dhe ta ushtroj detyrën e u.d. dekanit të Fakultetit. Duke konsideruar se s’ka arsye që ta vë veten në pozita që të pres reagimet se kam të drejtë ose nuk kam të drejtë t’i ushtroj njëkohësisht këto përgjegjësi, për të qenë mirë me veten time, ofroj dorëheqjen nga anëtari i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, sipas kësaj letre.
Gjatë 10 vjetëve në tri mandate të anëtarit të Kuvendit të kryeqytetit, duke qenë pjesë e vendimmarrjes në të mirë të qytetarëve të Prishtinës, ndjej të jem mirë me të gjitha paraqitjet dhe veprimet e mia politike, konform kërkesave politike dhe programore mbi zhvillimin e kryeqytetit tonë.
Ju lus të procedoni sipas ligjit lidhur me kërkesën time.
Me shumë respekt,
Flamur Shala”.