Dorëhiqet kryeministri i Perusë, iu publikuan audio me një grua

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Perusë, Alberto Otarola, ka dhënë dorëheqje pas pretendimeve se ka tentuar ta përdorte ndikimin e tij për të ndihmuar një grua që të marrë kontrata të majme. Skandali shpërtheu javën e shkuar kur një televizion peruan publikoi audio-incizime, që pretendohej se ishin biseda mes Otarolas dhe një gruaje.

Lideri 57-vjeçar ka mohuar pretendimet, ndërsa hetimet tashmë kanë nisur.

Në incizimet e publikuara gjatë fundjavës nga “Panorama”, Otarola po komunikonte me një grua 25-vjeçare. Yazire Pinedo raportohej se ishte shpërblyer me dy kontrata për punën e saj në ministrinë e Mbrojtjes më 2023, e që i sollën të hyra prej rreth 25 mijë dollarësh.

Otarola ishte ministër në këtë ministri deri në fund të 2022-s, kur presidentja Dina Boluarte mori detyrën dhe ai u promovua. Në audioincizime, Otarola i shpreh dashurinë gruas dhe i kërkon t’ia dërgojë CV-në. E para publikimit, Otarola pati thënë se e ka takuar Pinedon vetëm një herë. Ndërsa vetë Pinedo ka thënë për “Canal N” se ka pasur lidhje të shkurtër me liderin. Të dy thonë se audioincizimet ishin të vitit 2021, para se Otarola të ishte ministër, raporton BBC.

Megjithatë, presidentja Boluarte i kërkoi Otarolas të kthehej më herët nga një vizitë në Kanada, dhe pasoi dorëheqja.

“Të gjithë që më donin jashtë qeverisë… nuk kanë hezituar të editojnë një audio me qëllimin e maskuar që të njollosin imazhin tim”, ka thënë Otarola në fjalimin e dorëheqjes.

Në mes të atyre që ai akuzoi ishte edhe ish-kryeministri Martin Vizcarra, që ka mohuar të gjitha akuzat.

Sipas ligjit në Peru, 18 pjesëtarët e kabinetit të Qeverisë duhet të dorëhiqen – por presidentja ka të drejtë t’i rizgjedhë këdo që mendon. Në Peru, ndryshimet e qeverisë s’janë të habitshme – Boluarte ka bërë disa ndryshime që kur ka marrë pushtetin.

Të ngjashme