Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, i është bashkuar grupit të anëtarëve të dorëhequr nga pozitat drejtuese në këtë parti.
Përmes një postimin Facebook, Çaushi ka thënë se dorëheqja e tij është e parevokueshme, duke përmendur si një prej arsyeve fushatën linçuese ndaj tij si dhe grafitet në shtëpinë e tij nga grupi që mban tjetër anë.
Më poshtë postimi i Çaushit:
Të dashura aktiviste dhe aktivistë,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Më lejoni që fillimisht të shpreh nderin, kënaqësinë dhe falënderimin tim të përzemërt për mundësinë e të qenit pjesë e një organizate të jashtëzakonshme politike. Vitet e angazhimit tim politik si pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! paraqesin pa dyshim periudhën më përmbushëse dhe më të rëndësishme të jetës time.
Unë u bëra pjesë e Lëvizjes me besimin e plotë në vlerat universale dhe konceptin politik që ajo përfaqësonte, dhe me përkuljen dhe respektin e thellë për vajzat dhe djemtë që e ndërtuan dhe mbajtën gjallë këtë organizatë.
Përkundër gjithë kësaj, nuk mund të fsheh faktin që viti i fundit ishte nga më të pikëllueshmit dhe neveritësit të jetës time. Ashtu siq është edhe ky vendim i imi, për të parashtruar para jush dorëheqjen time të parevokueshme nga të gjitha pozitat në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nga pozita e Kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë dhe ajo e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm.
Për shkak të obligimit që ndjej ndaj të gjithë aktivistëve dhe përkrahësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe mbështetjes së pakursyer të tyre për gjithë këto vite, për shkak të shpresës së thyer të shumë qytetarëve nga zhvillimet negative në organizatë, për shkak të një shtrembërimi brutal të së vërtetës gjatë javëve të fundit, ndihem i detyruar që më poshtë të jap një vështrim dhe përvojë personale me problemin dhe vështirësitë që po kalon organizata.
Tanimë dihet që problemi aktual në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ka filluar që në Tetor të vitit 2016. Personalisht kam kuptuar një fakt të tillë në muajin Mars të vitit 2017, krejt rastësisht, nga një aktiviste e Lëvizjes në Gjakovë. E rëndësishme këtu është se gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur një ftohje të njëanshme dhe të paspjegueshme të raporteve të shumë aktivistëve nga qendra të ndryshme të Lëvizjes ndaj meje. Shumë shpejtë më është thënë nga disa aktivistë që unë jam identifikuar si pjesë e grupit të Dardan Molliqajt. Edhe pas një viti nga fillimi i kësaj krize, e edhe pse e kam kërkuar, edhe nga Albin Kurti, unë ende nuk kam marrë asnjë shpjegim racional, të bazuar e të shëndoshë për një kualifikim të tillë. Asnjë shpjegim të denjë për një organizatë të emancipuar siq unë e njihja Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
Ky animozitet ndaj meje ka vazhduar të rritet duke kulmuar në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të vitit që shkoi. Ajo që unë ndërkohë kam kuptuar është se ka pasur një fushatë sistematike linquese dhe të fshehtë anëmbanë Kosovës, nga aktivistë të caktuar që thirreshin në emër të mbrojtjes së Albin Kurtit. Pra, asaj që para disa javësh shpërthei si linçim publik, pas postimit shumë qëllimkeq e të dëmshëm të komunikimit të grupit parlamentar dhe emailave të kryesisë, i kishte paraprirë një linçim përgjatë një viti brenda organizatës.
Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare në Qershor, kishte një antifushatë të qartë ndaj meje dhe Arbërie Nagavcit nga një grup i aktivistëve në Gjakovë. Shpifje të ulëta, fushatë denigruese brenda dhe jashtë organizatës, gjithnjë në kuadër të luftimit të armikut imagjinar. Një përvojë neveritëse dhe tepër zhgënjyese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
E njejta vazhdoi në mënyrë edhe më të përshkallëzuar në fushatën e zgjedhjeve lokale. Ngaqë i konsideroja zgjedhjet tepër të rëndësishme për qytetin e Gjakovës dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe pas përvojës së Qershorit, kam kërkuar një takim urgjent me Albinin për të adresuar shqetësimet e mija. Ia kam sqaruar të gjitha ato që ndodhën në zgjedhjet e Qershorit, i kam treguar që fushata e zgjedhjeve lokale ka filluar edhe më keq, që shpifjet dhe insinuatat ndaj meje po vazhdonin, që sabotuesit e fushatës thirreshin vazhdimisht në mbrojtje të tij, që gjithë kjo po e dëmtonte moralin dhe punën e shumë aktivistëve të zellshëm dhe kandidatëve për asamble komunale. Ajo që pasoi përgjatë pjesës tjetër të fushatës ishte edhe më zhgënjyese. Sulmet u intensifikuan, perpjekje për sabotim të aktiviteteve, provokime e nxitje e dhunës në mes të aktivistëve. Të njejtin shqetësim ia kam ngritur pas disa ditësh edhe drejtuesit të shtabit qëndror zgjedhor, Ismajl Kurteshit. Rezultati ishte i njejtë.
Sot është hera e parë që unë deklarohem në lidhje me krizën në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
Për gati një vit, për sa kohë unë di për këtë krizë, edhe pse ishte shumë e vështirë, jam përmbajtur nga deklarimi publik, bile duke vazhduar të fsheh këtë realitet edhe nga aktivistë që i respektoj shumë, duke e konsideruar si gjënë më të drejtë që duhet bërë dhe duke shpresuar që do të gjendet forca për të tejkaluar këtë krizë.
Të premtën që shkoi, duke u kthyer nga Prishtina lexova një postim të Albinit ku ndër të tjera kërkonte nga të dorëhequrit të ktheheshin për të diskutuar në forumet e Lëvizjes. Ajo që më priti në Gjakovë ishte një fushatë e re linçimi, me grafite denigruese në qytet dhe para shtëpisë time, nga po të njejtët aktivistë të manipuluar për një vit me radhë. Kjo pasi gjatë ditës kisha guxuar të takoj për kafe kolegët e mij deputetë, Aida Dergutin, Visar Ymerin, Shqipe Pantinen dhe Faton Topallin. Asnjë shprehje keqardhjeje nga Kryesia e Lëvizjës VETËVENDOSJE!.
E përmenda këtë rast sa për të ilustruar aktualitetin e ndjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për të treguar se kam pak shpresë për një zgjidhje të vërtetë të problemit që kemi. Kjo nuk është organizata për të cilën jam angazhuar dhe në të cilën kam besuar. Përkundrazi, mendoj se prirjet aktuale mund të krijojnë një shpërfytyrim të asaj për të cilën është bëre një përpjekje kolosale mbi dymbëdhjetvjeqare.
Në fund dua të shpreh keqardhjen time të thellë për të gjithë ata qytetarë që i zhgënjyem, por edhe njëkohësisht t’i siguroj ata se ky vendim është marrë duke pasur ata parasysh dhe asnjëherë për çfarëdo interesi tjetër. Përfytyrimi i vetëm i një angazhimi tim politik ka qenë dhe mbetet një subjekt që në synim qëndror ka përpjekjen për barazi sociale, emancipim e drejtësi. Uroj që ky subjekt të vazhdojë të jetë Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Sinqerisht,
Driton Çaushi