Dosja e Prokurorisë: Kështu ndodhi vrasja në Prizren

Prishtinë | 06 Sht 2023 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Prizren- Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prizren kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Aziz Gashit, i cili nga Policia e Kosovës më 4 shtator u arrestua nën dyshimin për vrasjen e B.M. në lagjen “Arbanë”, në Prizren.

Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gashi po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 137 dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 366 parag.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Në kërkesë thuhet se i dyshuari Aziz Gashi, më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çasti që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri Aziz me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën Beqir Morina, i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit Hajrije Morina (bashkëshortja e viktimës), Alea Morina (vajza tetë vjeçare e viktimës), Rilind Morina dhe Haxhi Shigjeqi.

Tutje thuhet se, Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M, me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa të dëmtuarve, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Po ashtu, në kërkesë thuhet se të dëmtuarat Hajrije dhe Alea Morina gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari Rilind Morina arrin të fshihet prapa një muri në afërsinë e vendit të ngjarjes, e i dëmtuari Haxhi Shigjeqi fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin Haxhi Shigjeqi ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”, i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë Hirei metalike, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve Hajrije Morina (bashkëshortja e viktimës), Alea Morina (vajza tetë vjeçare e viktimës), Rilind Morina dhe Haxhi Shigjeqi u rrezikon jetën.

Për këto veprime, Gashi po dyshohet se ka kryer veprën penale vrasjes së rëndë nga neni 173 parag.1 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Gashi po dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 366 parag.1 i Kodit Penal, pasi më 4 shtator 2023 në Prizren në shtëpinë e tij e cila gjendet në rr.”Fetah Sylejmani”, në lagjen “Arbana”, gjendet arma në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët dhe atë pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-201-2722, së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B.M dhe me dashje u ka rrezikuar jetën të dëmtuarve Hajrije Morina (bashkëshortja e viktimës), Alea Morina (vajza tetë vjeçare e viktimës), Rilind Morina dhe Haxhi Shigjeqi e të cilën policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë K. e Malishevës.

Sipas arsyetimit të kërkesës së Prokurorisë, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masë së paraburgimit ndaj të pandehurit Gashi.

Ndryshe, Policia më 4 shtator 2023 konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” arrestimin e të dyshuarit.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se nga ana e njësiteve policore përgjegjëse janë ndërmarre të gjitha veprimet e duhura procedurale, hetimore e ligjore

Sipas Policisë, kanë vazhduar veprimet operativ- hetimore për të lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin e rastit të vrasjes.

“Gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorit dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prizren, është bastisë një lokacion në Malishevë ku është dyshuar se mund të gjendet I dyshuari, në atë lokacion nuk është gjet i dyshuari por është gjet një armë-pushkë automatike që dyshohet se është përdor në rastin e krimit, në lokacionin e njëjtë janë gjet edhe disa sendet personale të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se veprimet operative-hetimore kanë vazhduar duke kontrolluar lokacione të ndryshme, kryesisht në rrethinën e Malishevës.

Policia njofton se në operacion për kërkimin e të dyshuarit përveç Sektorit të Hetimeve të Drejtorisë të Policisë në Prizren kanë asistuar edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës/Stacioni Policor Malishevë dhe njësi të tjera nga Drejtoria e përgjithshme.

“Me vonë në orët e mbrëmjes nga Hetuesit e Rajonale dhe Njësia e Reagimit të Shpejt të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, në fshatin Tërpezë të Malishevës, është lokalizuar dhe është arrestuar I dyshuari Aziz Gashi, për të cilin me herët nëpërmes mediave është informuar publiku se është në kërkim nga policia”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit, thuhet se i dyshuari me vendim të prokurorit kujdestar ndalohet për 48 orë, ndërsa policia me autorizim të prokurorit të rastit vazhdon mbledhjen e provave dhe dëshmive.

Ndryshe, prokurorja Ervehe Gashi për “Betimi për Drejtësi” më 4 shtator 2023 ka treguar për veprimet të cilat i ka ndërmarrë, ku tha se janë kryer dy bastisje si dhe veprime të tjera për identifikimin dhe gjetjen e të dyshuarit.

“Po, për të dyshuarin A.G, mbrëmë i kemi bërë dy bastisje nuk kemi mujt me gjet, i kemi dërgu nëpër pika kufitare informata te kerrit edhe informata te personit të dyshuar dhe automjetit , i kemi dërguar të dhënat personale në Aeroportin “Adem Jashari”, deklaroi ajo, duke shtuar se lidhur me identifikimin e të dyshuarit do të lëshohet urdhëresë për publikimin e fotos së tij.

“Sot në mëngjes e kam lëshu urdhëresën per autopsi tash po shkoj me lshu urdhëresën për publikimin e fotos së tij”, kishte thënë prokurorja Gashi.

Ndryshe, sipas raportit 24-orësh të Policisë, dyshohet se i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Aty thuhet se i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje e cila kishte sjellë deri tek rasti tragjik. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme