Dosja e Prokurorisë për Naser Hafizin: Si dyshohet se ua uli borxhin ambalazhuesve e ç’bënte me paratë e fituara kundërligjshëm?

Prishtinë | 17 Tet 2024 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Autoriteti, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kjo dyshohet me qëllim që të përfitojë për vete dhe personave të tjerë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Hafizi dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje parash” si dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Sipas vendimit, ekziston dyshimi se Hafizi ka kryer veprat në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, udhëzimin administrativ Nr. 06/2021 për Strukturën e pagesave Ujore, si dhe ka anashkaluar raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar për qëllim të përllogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

Në vendim, thuhet se raporti në fjalë tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të paligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për veten ose për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Po ashtu, në vendim thuhet se më 22 mars 2022, Hafizi përmes një vendimi preliminar për detyrim financiar për Operatorin Ekonomik (OE)- ambalazhuesin e ujit Compakt Group- “Adea Group” për shfrytëzimin e ujit në vlerë të 3,616,812.00, ndërsa më 17 nëntor 2022 për të njëjtin operator kishte iniciuar detyrim financiar në vlerë të 41,433,60 euro për periudhën kohore 2018-2021, duke mos inkasuar borxhin prej vitit 2010, prej kur këtij operatori i ishte dhënë leja ujore. Si rrjedhojë, këtij operatori i ishte llogaritur vlera më e ulët e borxhit në krahasim me të dhënat e raportit të Grupit Punues ministror.

Ndërsa, më 7 shtator 2024, thuhet se Hafizi kishte iniciuar vendim për OE “Fluidi”, të cilit prej janarit 2009 deri në qershor 2021, i cakton detyrim financiar 13,072.31 euro edhe pse ky operator sipas GP Ministror kishte borxh prej 4,458,24.00 euro gjatë periudhës kohore 2008-2013. Ndërsa, e nëse do llogaritej edhe periudha prej vitit 2014 e tutje borxhi do të ishte më i lartë.

I pandehuri thuhet se më 31 gusht 2021 ka iniciuar nxjerrjen e vendimit për përllogaritjen e detyrimit financiar për kompaninë “FRUTTI”, të cilit prej 2017-2021 i përcakton detyrim financiar prej 39, 81 euro, ndonëse këtij ky operator ka operuar si ambalazhues dhe përllogaritja e detyrimit për ujin e shfrytëzuar është dashur që t’i llogaritet për litër të shitur e jo metër kub.

Në anën tjetër, më 11 mars 2022, thuhet se i pandehuri kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit financiar për Operatorin Ekonomik “FRUTEX”, i cili si aktivitet ka prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, dhe nga periudha korrik 2019- dhjetor 2021 i ka përcaktuar detyrim financiar prej 127.40 euro.

Gjithnjë sipas vendimit, më datë 22 mars 2022, pa bazë ligjore ka iniciuar vendim për nxjerrjen e detyrimeve financiare për ambalazhuesin e ujit “Getrinke” sh.p.k Vrellë, për shfrytëzim të ujit të papaguar në vlerë prej 411,180,00 euro, ndërsa më 28 qershor 2022, këtij operatori për periudhën maj- dhjetor 2012 deri në janar-dhjetor 2021, i përllogarit detyrim financiar në vlerë prej 180,605.33 euro, duke mos marrë parasysh të dhënat e nxjerra nga GP ministror.

Më tej, thuhet se më 28 mars 2022, nxori vendim për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Silca Gruop- Uji Miros”, se për shfrytëzimin e ujit të papaguar kishte borxh në vlerë prej 2,255,040,00 euro, ndërsa më pas është marrë vendim financiar duke anashkaluar të dhënat e nxjerra nga Grupi Punues ministror, duke i llogaritur borxhin vetëm 553,247,30 euro në bazë të raportimit nga OE, pa verifikuar të dhënat nëse ishin të sakta.

Gjithashtu, po me këtë datë, thuhet se për ambalazhuesin e ujit N.T.P “ADI”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar nxori vendim për llogaritje të borxhit në vlerë prej 216,000.00 euro, ndërsa më pas për ambalazhuesin e njëjtë të ujit më 20 mars 2023, është marrë vendim financiar me të cilin e ngarkon me detyrim prej 48,783,94 euro, për periudhën 2011-2022.

Në këtë vendim, thuhet se i pandehuri Naser Hafizi duke shkelur detyrat zyrtare në mënyrë të kundërligjshme, ka bërë përllogaritje të gabuar dhe në dhjetor 2023 ka iniciuar procedurën për vazhdimin e lejes ujore, duke i mundësuar OE “FRUTTI” vazhdimin e lejes ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.

Këtë, thuhet se e ka arritur duke ushtruar presion të zyrtarët e MMPHI-së, e duke i kërcënuar se nëse nuk do të vepronin sipas kërkesave të tij, do të inicionte procedura disiplinore për largim nga puna.

“Me këto veprime, i pandehuri e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës dhe dëmi i shkaktuar me marrjen e këtyre vendimeve konsiderohet i një shkalle të lartë e që saktësisht mbetet të përcaktohet më vonë nga ekspert të fushës përkatëse”, thuhet në aktvendim.

Me këto veprime, Hafizi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 të KPRK-së.

Tutje, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat- paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

Në vendim, thuhet se Hafizi nga 2018-2024 ka deponuar 109,370.00 euro, ashtu që më 2022 ka deponuar në kesh 31,640.00, ndërsa më 2023 i ka deponuar 51,070.00 euro, si dhe shuma të tjera në vite të ndryshme.

“Ka bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat tjerë një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marr me transferim bankar, pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t’i integroj duke i konvertuar e maskuar në emra të personave tjerë në asete të luajtshme dhe të paluajtshme”, thuhet tutje në vendim.

Hafizi thuhet se ka të hyra mujore 732 euro, bashkëshortja të hyrat mujore janë 540 euro, të cilat nuk mund të arsyetohen me pasurinë e paluajtshme të cilën e krijuar i pandehuri gjatë kësaj periudhe (2018-2023).

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 te Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Në anën tjetër, thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara. Përkatësisht, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, edhe që më 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë dhe nuk e ka deklaruar një banesë që e kishte blerë më 2023, e që e kishte obligim ta deklarojë më 2024.

Andaj, ai dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430 par.2 të KPRK-së.

Gjykata thotë dyshimin e bazuar e mbështet në prova të mjaftueshme të cilat tregojnë veprimemt inkriminuese të të pandehurit, siç janë vendimet për detyrimin financiare të VEV-Group, Getrinke – SH.P.K, N.P.T “ADI’, COMPACT Group – SH.P.K, Silca Group – Ujë Mirosi, sh.p.k, vendimin financiar për shfrytëzim të ujit për FLUIDI, sh.pk, për FRUTEX, sh.pk dhe për FRUTTI. NTP.

Gjithashtu, Themelorja mbështet dyshimin e bazuar edhe në vendimin për vazhdimin e lejes ujore dhe vendime për ndryshimin e lejeve ujore, raporteve ku përcaktohet vlera e borxhit të operatorëve, si dhe deklaratat të dëshmitarëve.

“Dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale të përfshira në kërkesë vërtetohet edhe nga: Raportet e hetuesve policore; Vërtetimi për sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, duke përfshirë armën e gjetur në banesën e të pandehurit”, thuhet në arsyetim të vendimi të Themelores.

Sipas gjykatës, të gjitha këto vendime dyshohet se janë bërë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat dhe Udhëzimin Administrativ për Strukturën e pagesave ujore.

“Janë nxjerrë Njoftim/Vendimet preliminare për detyrim financiar për disa ambalazhues të ujit për shfrytëzimin e ujit në vlerë të caktuar, ndërsa më vonë, për të njëjtit ambalazhues të ujit janë nxjerrë Vendime për detyrim financiar për shfrytëzim të ujit të pa paguar në vlerë dukshëm me të ulët duke ia zvogëluar borxhin në masë të madhe”, thuhet në vendim.

Po ashtu, thuhet se janë hartuar vendime të kundërligjshme, pasi i pandehuri ka ushtuar presion tek zyrtaret përgjegjëse, të cilat nën ndikimin e tij janë detyruar të përgatisin vendimet financiare të operatorëve ekonomikë dhe kanë hartuar vendimet e kundërligjshme për përllogaritjen e borxheve dhe vazhdimin e lejeve ujore për disa operatorë, edhe pse nuk i kishin plotësuar kushtet për vazhdim të lejeve.

“Janë siguruar dëshmi se i pandehuri Naser Hafizi zyrtarët e caktuara në komision për vazhdim të lejeve i ka kërcënuar me largim nga vendi i punës apo me inicim të procedurave disiplinore”, thuhet më tej në vendimin e Themelores.

Me të gjitha këto, sipas gjykatës përmbushet kushti i dyshimit të bazuar, e që është bazë për caktim të paraburgimit. Gjykata po ashtu vlerëson se përmbushet edhe kushti i veçantë se i pandehuri mund të asgjësojë, fshehë apo falsifikojë provat e veprave penale.

Gjithashtu, thuhet se po të lihet në liri, i pandehuri mund të ndikojë në dëshmitarë pasi shumica janë zyrtarë të MMPHI-së, ngase nga dëshmitë e siguruara nga ata provohet fakti se kanë qenë kundër procesit në mënyrën si ka rrjedhur procedura e inkasimit të borxheve, por që fjala e tyre nuk është marrë parasysh.

“E në rastin e dëshmitares Makfirete Dibrani e cila disa herë në formë gojore dhe të shkruar i ka njoftuar të pandehurit Izedin Bytyqi dhe Naser Hafizi se vendimet e marra nga ana e tyre janë të kundërligjshme dhe janë duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale buxhetit të shtetit, e të cilës për shkak se shumë herë ka kundërshtuar marrjen e këtyre vendimeve i kanë iniciuar procedurë disiplinore”, thuhet në arsyetim të vendimit të Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Madje, për shkak të kundërshtimit që dëshmitarja kishte bërë ndaj këtyre vendimeve, thuhet sse i kanë edhe bërë vlerësim të dobët të performancës, me qëllim të largimit nga puna. Ndërsa, thuhet se tek zyrtarët tjerë kanë shkaktuar ndjenjë të frikës dhe pasigurisë.

Gjykata vlerëson se nëse i pandehuri lihet në liri, do të kryejë sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda.

Mirëpo, Gjykata nuk ka vlerësuar si rrethanë pretendimin e Prokurorisë Speciale se nëse lihet i lihet mund të arratiset, pasi i pandehuri ka edhe shtetësinë e Serbisë. Por, sipas gjykatës, fakti se ka shtetësinë e një shteti tjetër, nuk është arsye e mjaftueshme se i njëjti mund të arratiset, pasi edhe pse e ka ditur se është në kërkim, ka ardhur përmes aeroportit në Kosovë dhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Shtoja faktin se Prokuroria nuk ka të bashkangjitur të kaluarën kriminale, ose ndonjë aktgjykim të plotfuqishëm që do të vërtetonin këtë pretendim se me të vërtetë i pandehuri ka të kaluar kriminale dhe deri në një mase do ta bënin të besueshme kërkesën e Prokurorisë se edhe do të mund të arratiset i pandehuri”, thuhet tuje në arsyetim.

Në seancën dëgjimore, prokurorja speciale Shenaj Berisha dhe prokuroja Sebahate Hoxha, thuhet se kishin theksuar se ekziston dyshim i bazuar se Hafizi ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, si dhe masat tjera përveç paraburgimit nuk do të siguronin prezencën e të dyshuarit në procedurë.

Gjithashtu, theksohet se nga PSRK kanë thënë se caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për shkak se me lënien e të dyshuarit në liri, ka rrezik për ndikim tek dëshmitarët e rastit, e që shumica prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë.

Çështja e ndikimit tek dëshmitarët, sipas PSRK-së lidhet me faktin se të njëjtit në dëshmitë e tyre kanë thënë se kanë qenë kundër mënyrës se si kanë rrjedhë procedurat e inkasimit të borxheve, por që fjala e tyre nuk është marrë parasysh. Sipas Prokurorisë, dëshmitarët kanë dëshmuar se ndaj tyre është ushtruar presion që të merren vendime të kundërligjshme nën kërcënimin e masave disiplinore.

Andaj, sipas Prokurorisë, nëse Hafizi nëse lihet në liri mund të ndikojë tek vartësit e tij në Ministri, e që si rrjedhojë do të kishte pengesa në proces.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Hafizit, avokati Shpëtim Mehmeti e kishte kundërshtuar kërkesën e PSRK-së, me arsyetimin se nuk ka ndonjë bazë ligjore që kjo masë të caktohet. Si fakt, kishte përmendur edhe gatishmërinë e klientit të tij për t’iu përgjigjur drejtësisë, e që sipas tij janë paragjykime mediatike kinse se klienti i tij është arratisur në Francë, pasi sipas tij ai ka qenë në vizitë zyrtare atje.

Sa i takon gatishmërisë së klientit të tij për t’iu përgjigjur drejtësisë, avokati Mehmeti e kishte përmendur faktin se Hafizi posedon edhe pasaportë të Serbisë, por përkundër kësaj ai ishte kthyer në Kosovë.

Si rrjedhojë, avokati kishte propozuar që klientit të tij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, duke e që i pandehuri të dorëzonte pasaportën e Serbisë dhe të Kosovës, duke shtuar se edhe ai vetë garanton që procesi do të zhvillohej pa pengesa.

Avokati ua kishte rikujtuar PSRK-së, se i dyshuari tjetër Izedin Bytyqi tashmë ishte në arrest shtëpiak.

Ndërsa, vetë i dyshuari Naser Hafizi kishte thënë se qëndron prapa deklaratave të avokatit të tij, duke shtuar se kishte dëgjuar shumë të pavërteta nga ana e PSRK-së. Tha se nuk është e vërtetë që posedon katër banesa, ashtu siç ka dalë në media dhe se sipas tij, dy prej këtyre banesave janë të motrës së tij.

Hafizi kishte mohuar edhe pretendimin e Prokurorisë që ai u ka bërë presion vartëseve të tij në Ministri dhe sipas tij çështja e ambalazhuesve është trashëguar që nga viti 2006.

Megjithatë, pas shqyrtimit të parashtrimeve të të gjitha palëve, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa e PSRK-së është e bazuar dhe se ekziston dyshimi i bazuar se Hafizi ka kryer veprat penale të cekura si më lart, andaj ia ka caktuar masën e paraburgimit.

Naser Hafizi, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ishte arrestuar më 10 tetor 2024 nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Prokuroria Speciale, gjatë aksionit 8 tetor kishte bërë të ditur se Hafizi nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

Kurse, një ditë më parë përmes një komunikate nga PSRK, është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë.

Të ngjashme