Shoqata “Down Syndrome Kosova”, në bashkëpunim me “Meridian Express” lansuan produktin “Xhem 21 Mjedra” i prodhuar nga kjo shoqatë.
Drejtori i “Meridian Express”, Agon Gashi, tha se do të ofrojnë përkrahje për shoqatën “Down Syndrome Kosova”, për të promovuar produktet në kompaninë e tij, raporton Ekonomia Online.
“Është ndjenjë e veçantë që të jemi bashkëpuntorë me ‘Down Syndrome Kosova’. Për herë të dytë jemi bashkëpunues. Së pari për mjaltën dhe tash edhe për xhemin cilësor. I përgëzoj për punën e bërë. ‘Meridiani’ do t’i përkrah gjithmonë. Zotohem se ne si ‘Meridian’ do të mbështesim projekte të tilla”, tha Gashi.
Drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome”, Sebahate Ajdini-Beqiri këtë produkt e quajti mrekulli. Ajo tha se beson në potencialin e fëmijëve të kësaj shoqate.
“Ky produkt flet vetë për potencialin e tyre. Këta të rinjë po kontribuojnë në qëndrueshmërinë e programit. Kjo ngjarje na jep shpresë na motivon që te vazhdojmë më tutje”, tha ajo.
Përkrahje ofroi edhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.
“Falenderimi dhe angazhimi shkon për ata që po japin një produkt. Është një nga produktet që do të konsumohet shumë, që bëhet me zemër ne shpirt nga fëmijët që e dojnë vendin e vet. Është obligim i yni ta konsumojmë prodhimin vendor, prodhimin e produkteve nga të rinjtë dhe të rejat tona. Bëj thirrje publike që të konsumoni më shumë produktet vendore, produktin e mjaltës dhe produktin e xhemit”, tha Beqaj.
Bujar Kadriu, kryetar i Forumit të Personave me Aftësi të Kufizuar, tha se sot po promovohet një produkt që do ta mbulojë tërë tregun kosovar.
“Sot po promovojmë një produkt që do të mbulojë tregun e Kosovës. Ky eshtë një mesazh te blerësit. Të punojmë të krijojmë vende të reja pune”, tha Kadriu.