Komisioni Ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka proceduar për në kryesi rezolutën për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb, raporton Ekonomia Online.
Anëtarët e komisionit dhanë sugjerimet dhe vërejtjet e tyre për tekstin e kësaj rezolute.
Deputeti i Nismas, Bilall Sherifi, kërkoi zëvendësimin e fjalës “eksod”, mirëpo nuk mori përkrahjen e të tjerëve.
“Përdorimi i shprehjes eksod. Eksodi nuk është dëbim, por është largim. Duhet të hiqet sepse Kosova nuk ka pasë eksod, Kosova ka pasë dëbim masiv”, tha ai.
Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, mori aprovimin e anëtarëve që në tekst të saj të dihet shifra e masakrave.
Ai tha se rezoluta është dëmtuar pas takimit të djeshëm të kryeparlamentarit.
“Mendoj që kjo rezolutë është degradu me veprimin e djeshëm”, tha ai.
Ndërsa Sherifi tha se Tribunali dhe kjo rezolutë nuk janë kundërthënëse.
Sipas tij se pari duhet ta thotë fjalën Gjykatë e Prokuroria e Kosovës e pastaj të mendohet për një Tribunal Ndërkombëtarë.
” Ajo s’ka qenë seancë, por takim më shoqatat e të prekurve nga lufta dhe përfaqësues të tjerë. Andaj nuk janë pengesë e njëra-tjetrës. Ne duhet të vazhdojmë me rezolutën dhe të shkoj në kuvend pastaj iniciativa e kryetarit të Kuvendit mbetet ndaras. Le të kalojmë ne këtë rezolutë pastaj hapat të tjerë i shohim, besoj se gjykatat e Kosovës duhet të ngrisin akuza vetë pasi që ka mjaft fakte pastaj kushdo që mendon se gjykimi s’ka qenë i drejt të mund të shkoj më tej”, tha ai, raporton EO.
“…Nuk është keq kushdo që tenton të bëjë një Tribunal për gjenocid, por për këtë duhet të kemi shumicën e vendeve të tjera. Nuk mendoj se duhet të lemë këtë rezolutë shkaku i kësaj iniciative pasi që gjykatat e vendit duhet të veprojnë më parë dhe mendoj se nëse do të kishte shpresë se do të mund të bëhet ndonjë Tribunal i tillë atëherë mund të bëhet vetëm pasi që Prokuroria jonë e thotë fjalën përfundimtare. Dhe këto dy iniciativa nuk janë kundërthënëse. Por si dy iniciativë që mund të udhëheqin paralelisht, pasi që Prokuroria jonë mund të veproj tani e një Tribunal Ndërkombëtar kërkon kohë”.
Deputetja Duda Balje kërkoi që në tekst të përfshihen edhe komunitetet tjera viktima të luftës, por u kundërshtua nga Sami Kurteshi pasi sipas tij gjenocidi ka pasë për qëllim asgjësimin e popullatës kosovare.
“Unë kam një propozim. Në titull e kemi projekt propozim… në momentin kur ka ndodhë gjenocidi nuk kanë qenë vetëm shqiptarë. 95 për qind kanë qenë shqiptarë duhet me përmendë. Me përmend në një fjalë që shumica e popullit shqiptar me u përmend në një pjesë. Edhe në Bosnjë kanë bë njëjtë”, tha ajo.
Reagoi deputeti Sami Kurteshi.
“Vërejtja është pjesërisht e drejtë. Sa i përket definicionit të krimit të luftës po por sa i përket definicionit për gjenocid nuk është e drejtë sepse ka qenë tendencë për zhbërjen e gjenit të njëjtë. Kemi të bëjmë me përbërje të njëjtë biologjike të një grupi të caktuar”, tha Kurteshi, raporton EO.