Drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës në Komunën e Prizrenit, Refik Shaqiri, ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion. Ai i është kthyer profesionit të patologut, me ç’rast prej fillimit të kësaj jave ka nisur punën në Spitalin rajonal të Prizrenit.
Shaqiri bashkë edhe me dy drejtorë të tjerë të qeverisë lokale, një anëtare të KK-së dhe një aktivist të shoqërisë civile prej fillimit të muajit dhjetor të vitit 2019 akuzohen për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dorëheqja e Shaqirit nga posti në Ekzekutivin komunal është konfirmuar edhe nga drejtuesit e partisë boshnjake, Partia e Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka – NDS), që kanë theksuar se në qeverinë lokale të Prizrenit do të përfaqësohen së shpejti nga një anëtar tjetër.
Shaqiri ka pohuar se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, në fund të javës së shkuar.