Drejtori i Gjinekologjisë s’dëshiron ta komentojë vrasjen e shtatzënës: Rasti është në hetim nga Prokuroria

Prishtinë | 01 Dhj 2022 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndreja i ka thënë Ekonomia Online, se rasti i vrasjes së gruas në oborrin e kësaj Klinike është nën hetim nga Prokuroria.

Ai nuk ka dashur që të komentojë më shumë për rastin, duke kërkuar që të merret leje nga ShSKUK për çdo informatë në lidhje me rastin.

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar se shtatzëna 35-vjeçare që u vra mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, kishte urdhër mbrojtës.  Sipas Gjykatës, i dyshuari për vrasje, Sokol Halili, në shtator të këtij viti ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me gjobë, derisa në muajin gusht, ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj 35-vjeçares.

Sipas komunikatës së Gjykatës, urdhëri mbrojtës ishte lëshuar nga 13 shtatori dhe vlente deri më 13 mars.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”, thuhet në komunikatë.

Sipas Gjykatës, i dyshuari për vrasje, Sokol Halili, në shtator të këtij viti ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë.”

Në muajin gusht, ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj 35-vjeçares.

“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme