Drejtori i Policisë së Serbisë thotë se “e dinim për aksionin e ROSU-së në veri”

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Policisë së Serbisë, Vlladimir Rebiq, tha sot në mëngjes se qysh gjatë natës kemi pas informacione se autoritetet e Prishtinës do të ndërhynin në veri të Kosovës, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

Ai citohet të ketë thënë se Beogradi është i gatshëm të reagojë nëse ndodh eksodi i popullit serb, porse është i bindur se bashkësia ndërkombëtare nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Jemi gati të intervenojmë nëse do të ndodhte eksodi i popullit serb, por jemi të bindur se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë një gjë të tillë”, tha Rebiq.

Sipas tij, 24 automjete të blinduara janë futur në territorin verior të Kosovës, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe rezolutat. Këtë veprim ai e ka cilësuar se “frikësim dhe reagim negativ pas disfatës së katërt me radhë në Interpol”.

Ndërsa kryetari i Këshillit Parlamentar për Kosovën, Millovan Drecun, aksionin e ROSU-së në veri e ka cilësuar si “shfaqje për opinionin pas debaklit në Interpol…” Po ashtu ka thënë se aksioni është “vazhdim i përrallës politike në lidhje me Listën Serbe dhe margjinalizimin e saj. “Që t’i merren mandatet dhe ato t’u jepen serbëve që autoritetet e Kosovës i parapëlqenin në institucione”, citon Drecunin RTS.

Të ngjashme