Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, bashkë me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, kanë vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” të Gjakovës.
Gjatë kësaj vizite, drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala e ka njoftuar ministrin me aktivitetet e këtij institucioni shëndetësor në ballafaqimin me pandeminë Covid-19 dhe sfidat e hasura gjatë kësaj kohe.
Ai ka theksuar se motivimi i punonjësve të spitalit ka qenë i lartë, por ka nevojë për fuqizimin e kuadrit, sepse ka mungesa në disa shërbime dhe, gjithashtu, edhe infrastruktura spitalore është e vjetruar në disa shërbime, në veçanti në shërbimin e dializës.
Ndërkaq Zemaj ka thënë se institucionet shëndetësore, ashtu edhe veprimtaritë e tjera duhet ta zbatojnë Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19.
Ai ka shtuar se krahas ballafaqimit ditor me Covid-19, rëndësi e madhe t’i kushtohet edhe fuqizimit dhe vijimësisë së shërbimeve të tjera shëndetësore në spital, ashtu që të gjitha shërbimet e nevojshme të kujdesit dytësor shëndetësor të jenë në dispozicion të qytetarëve.
Ramadani ka përgëzuar spitalin dhe komunën e Gjakovës për menaxhimin korrekt te rasteve me Covid-19 dhe ka theksuar nevojën e zbatimit të masave mbrojtëse për parandalimin e infeksioneve brenda-spitalore si dhe rritjen e kujdesit të qytetarëve për të zbatuar masat e ndërmarra nga Ministria dhe rekomandimet e dhëna nga IKSHPK.