Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës të premten në mëngjes ka zhvilluar një aksion në Pallatin e Rinisë me qëllim të largimit të disa konstruksioneve të vendosura pa leje në këtë Pallat e që sipas organeve kompetente po rezultojnë në ndryshim të pamjes origjinale të këtij objekti, raporton Ekonomia Online.
Këtë aksion të Drejtorisë së Inspeksionit nga afër e ka vëzhguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, meqë largimi i këtyre konstruksioneve ka qenë kërkesë e tij.
“Kemi një intervenim këtu, çlirimin e hapësirave të cilat kanë qenë të uzurpuara. Siç e dini Pallati është i mbrojtur me ligj dhe kemi dashur ta mbrojmë nga këto gjëra që kanë ndodhur që nga pas lufta. Do të vazhdojmë me të gjitha këto, që i bënë dëm brendit të kryeqytetit. Po punojmë me përkushtim në ruajtjen e origjinalitetit të objekteve që shpërfaqin memorien kolektive të shumë gjeneratave e që është e domosdoshme të ruhen si trashëgimi kulturore e Kryeqytetit”, tha Rama.
Sipas tij, Pallati i Sporteve dhe Rinisë është i mbrojtur me ligj dhe aksione të ngjashme do vazhdojnë edhe në vijim.
“Kemi këtë intervenim për lirim të hapësirës së uzurpuar dhe rikthimin e tij në gjendje origjinale. Sic e dini ky pallat është ikonë e kryeqyretit dhe e mbrojtur me ligj. Sot kemi fillu me këtë pastrim të intervenimit dhe do vazhdojë edhe më tutje. Jemi edhe në proces të hartimit të një plani për rigjenerim të pallatit” ka thënë Rama.
Drejtori i Inspekcionit, Florian Dushi tha se këto hapësira do kthehen në planin fillestar të projektit.
Sipas tij, do lirohen edhe hapësirat përpara siç janë bankomatet.
“Këto hapësira do kthehen në projektin e tyre fillestar për të ruajtur origjinalitetin, do vazhdojmë edhe me hapësirat përpara pallatit duke përfshirë edhe bankomatet. Pronari i këtij objekti është komuna, këtu ka vetëm shfrytëzues”, tha Dushi.
Një aksion i tillë u kundërshtua nga Naim Tërnava, përfaqësues i biznesit në të cilin u bë ndërhyrja.
Ai po konsideron se ndërhyrja është e jashtëligjshme pasi nuk kanë vendim dhe nuk janë paralajmëruar.
“Ky objekt ka pëlqim në vitin 2007 dhe këta po thirren kinse për mbrojtje të trashëgimisë. Këta nuk kanë as vendim për largim të këtij lokali. Ka objekte me tulla e blloka që kanë hyrë në gjelbërim dhe nuk po i prekin, vetëm këtë po e largojnë. Sot pa paralajmërim e pa vendim kanë ardh e kanë ndërhyrë në këtë objekt, kemi angazhu edhe avokat. Ky është objekt montazh i metalit me leje. Do i padisim të gjithë nga drejtori i pallatit të rinisë e deri të komuna” shtoi më tej Tërnava.

