Pjesëmarrësit në tubimet parazgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Krushë të Madhe dhe në Ratkoc të Rahovecit, shprehën të dielën në mbrëmje kërkesën e tyre për përfundimin e një periudhe të gjatë të keqqeverisjes së kësaj komune dhe rikthimin e qeverisjes së LDK-së.
Avdullah Hoti, kryetar i degës së LDK-së në Rahovec, njëherit shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, është shprehur i sigurt në fitoren e kandidatit të LDK-së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Ibrahim Kryeziu.
Duke folur përpara të rinjve në vendlindjen e tij, në Ratkoc, Hoti ka theksuar se më 22 tetor, Rahoveci do ta lë prapa fazën e qeverisjes së keqe, duke vendosur qeverisjen e mirë e transparente të LDK-së, e cila ka hartuar një program konkret që i përgjigjet synimit për zhvillimin e kësaj komune.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur optimizmin e tij për fitoren e LDK-së në këto zgjedhje, duke theksuar rëndësinë që ka përkrahja, sidomos e të rinjve, për alternativën që ofron LDK-ja.
“Ne qeverisim drejt, qeverisim me profesionalizëm e pa korrupsion dhe ne ia hapim Kosovës dyert për integrimin euro-atlantik. Tjerët vetëm flasin. Por, nuk janë ata të cilët mund t’i bëjnë ato që thonë”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se Ibrahim Kryeziu e ka përkrahjen e plotë të LDK-së dhe do ta ketë përkrahjen e qytetarëve të Rahovecit për ta ndryshuar dhe zhvilluar komunën e Rahovecit. “Ai e ka përvojën dhe do ta ketë mbështetjen e ekspertëve dhe qytetarëve për ta jetësuar programin për zhvillimin ekonomik lokal”, ka thënë Mustafa.
Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Rahovecit, Ibrahim Kryeziu, ka theksuar se e gëzon mbështetja qytetare, sidomos e të rinjve të komunës së Rahovecit, të cilët ai ka thënë se do ta bëjnë ndryshimin më 22 tetor.
“Programi ynë është konkret. Nuk ka retorikë e demagogji, sikur programet e partive tjera. Programi ynë është i orientuar për të siguruar perspektivë zhvillimore dhe të ardhme për rininë e Rahovecit”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka premtuar ndërtimin e zonës industriale në Rahovec, një zyrë që do të merret me zhvillimin ekonomik lokal, për t’u shërbyer bizneseve dhe për të tërhequr investime në Rahovec. Po ashtu ai ka premtuar rritjen e mbështetjes për bujqësinë, shpërndarjen e drejtë të subvencioneve e granteve për këtë sektor, ndërsa ka thënë se kujdes do t’i kushtohet infrastrukturës rurale.
“Fokusi ynë i veçantë është rinia. Përmes investimeve në rini, ne do ta ndalim eksodin e të rinjve. Ne do të japim bursa për të rinjtë tanë, që ata të shkollohen dhe të punojnë për ta zhvilluar Rahovecin dhe krejt Kosovën”, ka thënë Kryeziu, i cili ka premtuar se pagën e tij do ta ndajë për dy bursistë meritorë.
Ai ka premtuar pagesën e praktikës për të diplomuarit që prej vitit 2018, përmes bashkëpunimit me biznese dhe me institucione, ndërsa ka premtuar edhe fond për mbështetjen e bizneseve të krijuara nga të rinjtë e Rahovecit.
Kryeziu ka garantuar mbështetje edhe për zhvillimin e sportit në komunën e Rahovecit, ndërsa ka premtuar se kujdes i veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të infrastrukturës në sistemin arsimor të komunës dhe krijimit të parakushteve për rritjen e cilësisë së arsimit në Rahovec.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Rahovecit ka kërkuar nga të rinjtë e Rahovecit që më 22 tetor ta ndalin qeverisjen e keqe 10 vjeçare të atyre që argument të vetëm e kanë krekosjen me forcë, ndërsa Rahovecit dhe qytetarëve të saj, i duhet qeverisje e njerëzve të mençur e punëtorë.