Kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori, që në raundin e parë të votimeve doli i treti, ka thënë se dy kandidatëve në balotazh u ka bërë ofertë për bashkëpunim, në mënyrë që plani i tij për zhvillimin e qytetit të vihet në veprim.
Ai ka theksuar nga ana tjetër se nuk do të jetë pjesë e qeverisjes, pasi mendon që në këtë mënyrë planin i tij do të implementohej më mirë, njofton Klan Kosova.
“Pas një procesi të organizuar dhe të menaxhuar mirë në Drenas, sot i kemi dhënë ngjyra demokracisë me një veprim që nuk ka qenë praktikë e mëhershme. Ne si të tretët u kemi bërë ofertë kandidatëve që janë në balotazh. Nëse njëri nga kandidatët i pranojnë disa nga pikat e programit tonë. Por ne nuk do të jemi pjesë e qeverisjes lokale, sepse ne u kemi kërkuar votuesve që të votojnë planin tonë, duke synuar që vet ta implemetojmë”.
“Pres që njëri nga kandidatët të nënshkruajë këtë marrëveshje, ndërsa unë do të kujdesem që ta respektoj vullnetin e qytetarëve të Drenasit. Nuk besoj që kandidatët do të nënshkruajnë marrëveshjen, e të mos e zbatojnë pastaj”. (KlanKosova)