Dreshaj: Rasti i vetëm me Coronavirus në Istog pritet të ritestohet brenda tri ditëve

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Numri i komunave të Kosovës që po largohen nga “zona e kuqe” e coronavirusit po zgjerohet nga dita në ditë.

Koordinatori i Shtabit Emergjent në Komunën e Istogut, Besart Dreshaj thotë se edhe kjo komunë se shpejti nuk do të ketë persona të prekur me COVID-19.

Dreshaj në RTV Dukagjini ka thënë momentalisht është vetëm një person pozitiv me coronavirus por që sipas tij brenda tri ditëve mund të bëhet ritestimi dhe i njëjti të lirohet.

“Kemi një person që është në vet izolim dhe brenda tri ditëve pritet të bëhet ritestimi i personit në fjalë dhe besojmë se më nuk do të ketë raste me coronavirus”, tha ai, përcjell Telegrafi.

“Jemi mirënjohës ndaj qytetarëve që janë ruajtur jashtëzakonisht shumë e që na kanë lehtësuar edhe neve si shtab punën”.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në Istog ka pasur gjithsejtë 8 të infektuar me COVID-19 ku njëri nga ta ka përfunduar me fatalitet.

Të ngjashme