Drita e ka mposhtur 2:0 Gjilanin në derbin më të madh të futbollit në Superligë, duke u rikthyer në vendin e parë në tabelë, ndërkohë që Ballkani e shkatërroi 6:2 Arbërinë, në dy ndeshjet e fundit të javës së 24-të të enjten.
Liderja e Superligës dhe kampionia në fuqi nuk pate telashe për ta fituar derbin e Amanoravës ndaj një Gjilani në formë të dobët dhe ende pa fitore në vitin 2021, raporton Gazeta Express.
Hamdi Namani e kaloi Dritën në epërsi pas vetëm 11 minutave lojë në Stadiumin e Qytetit në Gjilani.
Rreth pesë minuta para fundit të pjesës së parë, Ardian Limani e dyfishoi epërsinë e vendasve, duke e vulosur fitoren e tretë radhazi për kampionen.
Kjo ishte humbja e dytë për skuadrën e Bylbyl Sokolit në gjashtë ndeshje që prej rifillimit të sezonit, pas katër barazimeve dhe asnjë fitoreje.
Ndërkohë, në ndeshje tjetër të enjten, Ballkani e shkatërroi plotësisht skuadrën e porsapromovuar në ligë, Arbërinë, duke e mundur 6:2.
Mirlind Daku shkëlqeu me tri gola, ndërsa Arbër Hoxha, Nazmi Gripshi, Marclei Cezar dhe Mevlan Zeka shënuan nga një herë për fitoren më të thellë të Ballkanit këtë sezon në udhëtim.
Drita vijon të jetë lidere me 53 pikë pas 24 ndeshjeve, e ndjekur nga Ballkani me dy pikë më pak dhe nga Prishtina me tri pikë më pak, në një garë tejet të nxehtë për titull.
Gjilani mbetet në pozitën e katërt, por tani me vetëm tetë pikë larg zonës së rënies nga liga. Arbëria është e teta me vetëm një pikë larg vendit që dërgon në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.