Futbollistët e Dritës nuk e shohin mision të pamundur kalimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Gjasat janë të mira sipas tyre.
Kalimin tutje do t’ua mundësonte edhe një fitore minimale me rezultatin 1:0 përballë kampiones së Luksemburgut, Dudelange. Por ata kërkojnë shumë më tepër. Kërkojnë të dhurojnë edhe spektakël në ndeshjen që do të luhet sot (e enjte, 20:45) në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në Dudelange, javën e shkuar, Drita u mposht 2:1.
Mbrojtësi i kampiones së Kosovës, Dritës, Fidan Gërbeshi pret ndihmë edhe nga tifozët për të kaluar tutje, shkruan sot Koha Ditore.
“Angazhimi maksimal nga ana jonë nuk do të mungojë. Këtë ua garantojmë të gjithë shikuesve. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Është ndeshje goxha e rëndësishme për ne dhe synojmë rezultat që na dërgon tutje. Gjasat janë të mira, sepse me një fitore minimale ne kualifikohemi tutje. Qëllimi jonë është të bëjmë paraqitje të mirë dhe të kemi kujdes të mos pranojmë gol të parët. Duhet të kemi kujdes dhe të mos paraqitemi në fushë me eufori. Nuk duhet të ndikohemi nga atmosfera që pres të jetë fantastike. Ne shpresojmë në përkrahjen e tyre. ‘Intelektualët’ kanë qenë gjithmonë lojtari jonë i 12-të. Përkrahja e tyre është shumë e nevojshme për ne”, ka thënë Gërbeshi.
Gërbeshi i mungoi Dritës në ndeshjen e parë. Nuk ishte përfshirë gabimisht në listë.