Driton Kuka e ka komentuar suksesin e Majlinda Kelmendit në Kampionat Botëror. Trajneri i suksesshëm ndihet krenar me suksesin e garuesve të tij
Driton Kuka ndihet i lumtur për medaljen e bronztë që e fitoi Majlinda Kelmendi sot në Kampionat Botëror.
Xhudistja pejane shkëlqeu në Botërorin e Japonisë, ku fitoi medalje, edhe pse nuk arriti ta fitonte titullin e tretë të kampiones botërore.
Kelmendi u ndal në gjysmëfinale nga kampionia aktuale botërore, Abe Uta, por e mposhti portugezen Joana Ramos në luftën për medalje.
Dhe, Kuka e ka shprehur gëzimin e tij për këtë sukses, i cili e përcjellë atë të Distria Krasniqit, e cila të dielën e fitoi po ashtu medaljen e bronztë.
“Ditë e mrekullueshme për Sportin e Kosovës dhe mbarë popullin Shqiptar kudo që gjendet! Medalja e dytë vjen nga Botërori në Tokio! 8 Minuta tempo e çmendur e Majlindes në Gjysëmfinale kundër Japonezes së dytë që u takua sot nuk mjaftuan që Japonezes që krejt kohën i iku luftës të penalizohet për herë të 3 që do sjellte fitoren! Majlinda fiton medaljen e tretë në Kampionate Botërore! Krenaria ime po rritet me ju nxëneësit e mi! Çdo minutë të punës time me ju e paçit hallall tërë jetën!”, ka shkruar Kuka.
Në ditët në vazhdim, në “Tokyo 2019” do të garojnë edhe xhudistët tjerë kosovarë, Akil Gjakova, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka.