Dje (e shtunë) gjatë garave të ditës së parë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” Kosova ka fituar dy medalje me anë xhudisteve Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova.
Kelmendi fitoi medaljen e artë, ndërsa Gjakova humbi në finale duke arritur ta rrëmbejë medaljen e argjendtë.
Pas garave, trajneri i tyre, Driton Kuka u shpreh tejet i lumtur me suksesin e arritur, duke e cilësuar si sukses historik fitimin e medaljeve nga dy xhudistët tona.
“Të them të drejtën ne si ekip i vogël para garave të tilla, dihet se lojërat evropiane në sportin e xhudos e kanë pasur karakterin edhe të kampionatit evropian domethënë konkurrencë e jashtëzakonshme njëkohësisht kualifikuese edhe për lojërat Olimpike”.
“Në mëngjes kam qene shumë nervoz pasi që edhe Distria ka pasur problemet e saja dhe nuk është paraqitur sot në gara”.
“Majlinda është duke e gjetur ende formën e vet pasi lëndimit edhe abstenimit të gjatë prej xhudos prej garave të mëdha, ndërsa Nora ka qenë një ndër favoritet për medalje, këtë edhe e ka arsyetuar ka shkuar deri në finale ku me një gabim të vogël ka mbetur pa medaljen e artë”.
“Të them të drejtën e arta e Majlindës dhe e argjendta e Norës janë diçka të jashtëzakonshme janë një sukses i madh”, ka thënë Kuka për faqen e KOK-ut.