Ishte 20 vjeç kur i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk kishte menduar fare për fatin e tij personal.
Atij i kishte rrahur zemra në uniformën e UÇK-së dhe nuk kishte menduar dy herë për ta veshur atë. Për të, ajo uniformë kishte kuptimin e lirisë.
Ky është rrëfimi i Përparim Currit, ish ushtarit të UÇK-së, të realizuar nga platforma “LIRIA KA EMËR”.
Videon me këtë rrëfim emocional e ka publikuar trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka.
“LIRIA KA EMËR: Përparim Currit i kishte rrahur zemra në uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e kishte veshur si 20-vjeçar. Për të, ajo uniformë kishte kuptimin e lirisë. Nuk e kishte menduar fare fatin e vet, por vetëm çlirimin e vendit që gjeneratat e reja ta gëzonin lirinë. Janë të rënda përjetimet e tij kur humbi 6 bashkëluftëtarë, ashtu siç janë të prekëse momentet kur u kthye në shtëpi nga lufta dhe takoi babanë e nënën – të cilët, në fillim, nuk e kishin njohur. Shikojeni dhe shpërndajeni këtë rrëfim. #LiriaKaEmer”, ka shkruar Diton Kuka, në profilin e tij në Facebook.
Përparim Curri thotë se nuk mund ta përshkruajë ndjenjën që provoi kur iu bashkua UÇK-së për çlirimin e vendit.
“Atë ditë që ju kam bashkëngjitë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tanë natën nuk kam flejtë prej gëzimi. Nuk kam menduar shumë për shpi. Më ka rreh zemra në luftë. Me ka rreh zemra në uniformë.
Nashta s’un e përshkruaj kurrë në jetë atë ndjenjë që e kam veshë uniformën e UÇK-së. U kanë liri për neve ajo. Pa ushtri nuk ka liri”, thotë ai.
Ky ish ushtar i UÇK-së nuk kishte besuar që e gëzon lirinë. Kishte menduar se do të mjaftonte që lirinë ta gëzonin gjeneratat që do të vinin.
Curri ka treguar momente të rënda kur gjatë luftës i ishin vrarë gjashtë bashkëluftëtarë, si dhe momentin prekës kur i kishte takuar prindërit e tij ditën kur kishte përfunduar lufta dhe ishte çliruar vendi.
Më poshtë, mund ta shikoni këtë video emocionale.