Televizioni “Entertainment Tonight” e ka realizuar një intervistë të shkurtër me yllin e muzikës pop, Dua Lipa, gjatë provave të saj për edicionin e 63-të të ceremonisë shpërblyese “Grammy”, e cila mbahet të dielën më 14 mars.
Në këtë intervistë, këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore foli për shumëçka, nga zgjedhjet e saj në stilin e modës e deri tek nominimi në disa prej kategorive më të rëndësishme të mbrëmjes.
“Nganjëherë kur i thua këto gjëra me zë të lartë, të duket e pabesueshme dhe me të vërtetë ndihem paksa e mbingarkuar”, tha 25-vjeçarja Lipa duke folur për gjashtë nominimet e sivjetme për çmim “Grammy”.
“Dua të them, është një çmenduri e vërtetë… Natyrisht se kjo arritje të zë në befasi por njëkohësisht është diçka e mahnitshme, sidomos kur je artiste e cila vjen nga Britania e Madhe dhe Kosova. Këto gjëra ndodhin vetëm në ëndrra, prandaj shpresoj që askush nuk do të më zgjojë nga gjumi,” tha këngëtarja duke bërë shaka.
Ylli i hitit “Physical” tashmë është fituese e dy shpërblimeve “Grammy”, përfshirë këtu kategorinë “Artistja më e mirë e re”, dhe Lipa e pranon se arritja e këtij suksesi në fillimet e karrierës së saj muzikore, vetëm sa e ka motivuar gjatë realizimit të albumit të dytë, “Future Nostalgia”.
“Më duket se nderimi me çmimin ‘Artistja më e mirë e re’ më ka shtyrë të punojë më shumë, dhe t’ia vërtetojë të gjithëve por edhe vetes që meritoj të jem këtu”.
Dhe ky dedikim ndaj punës është paguar. “Future Nostalgia” është një prej albumeve më të suksesshëm dhe më të dëgjuar të vitit 2020, ani pse Dua ishte detyruar të rrezikoj duke e lansuar atë në ditët e para të pandemisë së koronavirusit. Teksa artistët e tjerë po i shtynin lansimet e projekteve të tyre, për shkak të pamundësisë për ta promovuar punën apo për të bërë turne muzikor, pop këngëtarja e famshme tha se po shpresonte që albumi i saj t’i shërbente publikut si formë për t’i ikur rutinës dhe mërzisë së karantinës, njësoj siç ishte ndier ato gjatë realizimit të tij.
“Gjatë kohës së realizimit të albumit po mendoja të ikja nga presioni në jetën time, prandaj kur filluam të mendojë se cila është koha e duhur për ta lansuar atë, mendova se kjo mund të jetë mundësia e përkryer për t’ia dhuruar publikut dhe fansave një album që i bënë të ndihem më mirë. Ky ishte një prej vendimeve më të frikshme që e kam ndërmarrë në jetë, sepse nuk kisha ide se si do të pritej, por gjithashtu jam falënderuese për vlerësimet që i ka marrë”, përfundoi Lipa.
Albumi “Future Nostalgia” dhe hiti i tij “Don’t Start Now”, garojnë në tri prej kategorive kryesore të ceremonisë “Gramy”, atë “Albumi më i mirë”, “Kënga më e mirë” dhe “Incizimi më i mirë”. Dua Lipa po ashtu është njëra prej performuesve të mbrëmjes, krahas yjeve të shumtë të muzikës, si Bruno Mars, “BTS”, Taylor Swift, Billie Eilish, Megan Thee Stallion dhe të tjerë.
“Unë thjeshtë dua të argëtohem gjatë mbrëmjes dhe jam e emocionuar që do të rikthehem në skenën e ceremonisë ‘Grammy’. Për mua, performimi është nga pjesët e preferuara të punës sime, dhe më bënë shumë të lumtur” deklaroi këngëtarja.
Sa i përket anës së modës që zë vend të rëndësishme në ceremoninë “Grammy”, bukuroshja kosovare nuk deshi të zbulojë shumë rreth dukjes së saj sivjet, por tha se do ta vesh një fustan të lezetshëm që i zbulon pak lëkurë, dhe do të përfshijë vezullima.
Edicioni i 63-të i ceremonisë shpërblyese “Grammy”, do të mbahet të dielën më 14 mars, dhe do të transmetohet live në kanalin “CBS”.