Dua Lipa me paraqitje të mrekullueshme në shoun “BBC Live Lounge”

Prishtinë | 20 Pri 2021 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Sensacioni i fundit në muzikë, Dua Lipa, e ka interpretuar një ‘cover’ të këngës së artistes së re Arlo Parks, “Eugene”, në shoun e radios “BBC Live Lounge”.

Ylli i muzikës pop i performoi live disa këngë të saj në këtë ngjarje, përfshirë edhe një version të ripërpunuar të hitit të Parksit të lansuar në vitin 2020, i cili ishte pjesë i albumit të saj debutues “Collapsed in Sunbeams”.

Në interpretimin e këngës “Eugene”, Lipa në skenë shoqërohej nga një kitarist dhe tri tri këngëtare shoqëruese. Performanca rezultoi mjaft e mirë dhe e ndjeshme, derisa në mesin e shumë personave që reaguan online ndaj saj ishte edhe vet autorja e këngës, Arlo Parks, e cila e ndau në rrjetet sociale një video ku shihet duke e shijuar interpretimin e këngës së saj nga Dua Lipa, dhe teksa e quajti këtë një moment special për të.

“Jam plotësisht e mahnitur. Dua më dukej sikur po fluturoja në ajër duke e dëgjuar interpretimin tënd të këngës ‘Eugene’ në BBC Radio 1. Çfarë momenti special për një performancë të qetë dhe tejet personale të këngës të cilën e kam shkruar në dhomën e ditës. Dua Lipa ti je një yll i vërtetë dhe po ndihem shumë e lumtur në këto momente”, kishte shkruar Parks në mesazhin shoqërues të videos.

Në fillim të këtij muaji u bë i ditur lajmi se këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, aktualisht e ka albumin më të madh të vitit 2021 në Britani të Madhe dhe njëkohësisht, “Future Nostalgia”, është shpallur albumi më i transmetuar në Spotify, me 4.7 milionë transmetime si dhe renditet si albumi i 23-të më i transmetuar në historinë e kësaj platforme muzikore.

Albumi i dytë i Lipës nga lansimi në mars të vitit të kaluar, ka vazhduar të jetë pjesë e toplistave zyrtare të albumeve më të mira për 33 javë rresht, dhe katër herë ishte pozicionuar në vendin e parë të këtyre toplistave.

Ndërkohë, së fundmi u bë i ditur lajmi se, Arlo Pars dhe Dua Lipa, janë pjesë e listës së artistëve të cilët do të performojnë në edicionin e sivjetmë të ceremonisë shpërblyese “BRIT Awards”.

Në lajme të tjera, kryetari i Londrës, Sadiq Khan, i është përgjigjur lajmit se Dua Lipa po e përkrahë atë në zgjedhjet e ardhshme për kryetar, duke thënë se ndihet i nderuar që e ka mbështetjen e një superylli sikur pop këngëtarja Lipa.

Në reagimin e tij ndaj këtij lajmi, Sadiq Khan shkroi: “Dua është një nga talentet më kreative në botë dhe një ambasadore e jashtëzakonshme për qytetin e Londrës. Jam i nderuar që e kam mbështetjen e saj në këto zgjedhje”.

Javën e kaluar, këngëtarja me famë botërore i inkurajoi ndjekësit e saj në rrjetet sociale që të votojnë për kandidatin Khan në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Londrës, të cilat mbahen më 6 maj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme