Me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mundësuar organizimi i koncertit të këngëtarit tonë të mirënjohur Armend Rexhepagiqit nën emërtimin “Edhe një herë”, të cilin e ka përgatitur kompozitori Florent Boshnjaku.
Koncerti do të mbahet të dielën në 20:45 në Klan Arena dhe siç ka paralajmëruar edhe kompozitori Boshnjaku, përgatitjet janë bërë gati të gjitha nga një ekip profesional për të sjellë një performancë të mrekullueshme, vlerëson ai.
Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, tha se projekte të këtilla nëpërmjet të cilave përçohen vlerat e mirëfillta, është kënaqësi dhe detyrim i institucionit që t’i përkrah.
“Dua të falënderoj këngëtarin Armend Rexhepagiqi, kompozitorin Florent Boshnjaku dhe tërë ekipin që po mundësojnë realizimin e këtij koncerti i cili është më se i nevojshëm për qytetarët si një lloj relaksimi dhe përmbushjeje artistike duke pasur parasysh pasojat që ka sjellë pandemia. Përmes këtyre vlerave të mirëfillta kulturore, përpos që i ruajmë ato, ne përpiqemi që t’i risjellim në kujtesë edhe për të ringjallur nostalgjinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke veçuar faktin se MKRS-ja gjithmonë është afër artistëve që kultivojnë vlerat e mirëfillta të Kosovës.