Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Koordinues Ndërministror për të drejtat e Njeriut në të cilin takim ishte i pranishëm kryeministri Isa Mustafa, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Ai ka përshëndetur këtë iniciativë duke e vlerësuar si tejet të rëndësishme me qëllim të fuqizimit dhe funksionalizimit të të gjitha strukturave dhe mekanizmave institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të Drejtave të Njeriut, me theks të veçantë të drejtat e grave.
“Në shoqërinë tonë mbetet tejet shqetësues fakti se ne edhe sot dëgjojmë të ketë akoma raste të përdorimit të dhunës ndaj grave, si një nga fenomenet më të shëmtuara e paralizuese e që mban vulën e zezë për çdo shoqëri”, tha ai.
“Marrë parasysh rolin të cilin e ka një grua në shoqëri, nuk duhet kurrë të rreshtim së dënuari këtë fenomen shqetësues, sepse trajtimi i dhunës kundër grave njëkohësisht nënkupton investim në të ardhmen e përgjithshme të të gjithë qytetarëve tonë, gjë për të cilën institucionet e vendit kanë krijuar bazë të mjaftueshme ligjore por edhe mekanizma të mjaftueshëm institucional të cilat i janë dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me theks të veçantë mbrojtjes së grave nga dhuna e drejtuar ndaj tyre”, shtoi Dushi.
Ministria e Drejtësisë, sipas tij, ka hartuar draft “Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje 2016 – 2020”, e cila ndër të tjera trajton dhe fenomenin e dhunës në familje, fokusohet në harmonizimin e legjislacionit vendor me atë ndërkombëtar, aktiviteteve informuese që synojnë parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave si dhe trajtimin, rehabilitimin dhe ri-integrimin e viktimave nga dhuna në familje dhe ndëshkimin e kryesve.
Zëvendësministri Dushi ka përshëndetur gatishmërinë e anëtarëve të grupit punues në përcaktimin e detyrave dhe planit të punës po ashtu shprehu përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të luftuar këto raste dhe për të arritur nivele të barabarta me shoqëritë moderne dhe demokratike në botë.