Idetë e “shpërbërjes përfundimtare të Jugosllavisë” dhe një ridefinim i kufijve në Ballkanin Perëndimor nuk do ta ndryshojnë politikën ekzistuese të Bashkimit Evropian. Por, kjo nuk do të thotë që angazhimi evropian në rajon nuk ka nevojë për një zgjim urgjent.
Se Ballkani Perëndimor ende është një rajon i brishtë, ende i prirë për destabilizim të shpejtë për shkak të plagëve ende të hapura nga e kaluara, të cilat tani politikisht korrekt i quajnë “çështje të hapura bilaterale”, dëshmoi informata për një tekst, i cili, për shkak të karakter jozyrtar, nuk mund të quhet as një dokument, madje as letër.
I ashtuquajturi “non-paper”, pa kreun e tij dhe nënshkrime, iu atribuua nga media kryeministrit slloven Janez Jansha. Me qëndrimin e tij ambivalent as të njohjes dhe as mohimit, nxiti më tej një shkëndijë të cilën, siç e kemi parë edhe më parë, shpejt “ndezi” të gjithë rajonin dhe u përhap, fare papritur, përtej kufijve të BE-së, shkruan DW, edicioni në serbisht.
Teksti i dokumentit propozon “dhënien fund të shpërbërjes së Jugosllavisë” ose ridefinimin “përfundimtare” të kufijve në Ballkanin Perëndimor me qëllim krijimin e një Bosnje dhe Hercegovine të fragmentuar, por “të qëndrueshme dhe funksionale”, Shqipërinë me Kosovën e bashkuar dhe pjesë të Maqedonisë Veriore, Serbinë me Republikën Srpska të bashkuar.
Nga institucionet e BE-së ende nuk e kanë konfirmuar arritjen e një teksti të tillë në Bruksel, dhe ndoshta kurrë nuk do ta bëjnë. Brukseli zyrtar përsëriti vetëm qëndrimin e tij se “asgjë nuk duhet të ndryshojë, kur bëhet fjalë për kufijtë në Ballkanin Perëndimor”, transmeton Telegrafi.
“Duhet të punohet në pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal, që është edhe logjika e procesit të integrimit evropian. Të gjitha çështjet e hapura midis shteteve duhet të zgjidhen në një proces që nuk hyn në territore të rrezikshme dhe që mbështetet në ligjet dhe parimet e BE”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Sekretari gjerman i Shtetit për Evropën Michael Roth përsëriti se “vizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme” dhe “pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal është çelësi i paqes, demokracisë dhe prosperitetit” në Ballkanin Perëndimor.
Të njëjtat mesazhe erdhën nga Parlamenti Evropian, nga ku raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilcik, tha se “ndryshimi i kufijve dhe territorit është një rrugë e rrezikshme në të kaluarën shpërthyese të rajonit”.
Kompromiset e rrezikshme
Sidoqoftë, publikimi këtij teksti [dokumenti ‘non-paper’] nuk është i rastësishëm, se kjo ka parahistorinë e vet dhe se ekzistojnë njerëz që e shohin zgjidhjen e të gjitha problemeve në Ballkanin Perëndimor në ndryshimin e kufijve, thonë Alexandra Stiglmayer nga Iniciativa Evropiane e Stabilitetit dhe Bodo Weber nga Këshilli për Demokratizimin e Politikës në Berlin.
Në një bisedë me DW (edicioni në gjuhën serbe), ata kujtojnë se shkëmbimi i territoreve jo shumë kohë më parë ishte temë në rajon dhe në BE, kur në vitin 2018 flitej për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës.
“Gjëra vazhdimisht vazhdojnë të shfaqen. Ato ishin gjithashtu të pranishme gjatë luftës në ish-Jugosllavi. Por duhet të kihet parasysh shkaku që çoi në këto luftëra. Prandaj është shumë e rrezikshme të besohet se ndryshimet në kufij, të cilat do të çonin në shkëmbime etnike, mund të çojnë në një zgjidhje në Ballkanin Perëndimor”, thotë Stiglmeier.
Ajo vlerëson se shfaqja e një ideje të tillë në këtë moment është një lloj balon provues që është aty për të parë reagimin e vendeve anëtare të BE-së dhe për të parë nëse kjo është rruga në të cilën mund të shkohet.
“Mendimi im është se kjo përfundimisht nuk është mënyra, sepse kjo do të çonte vetëm në një konflikt, dhe pastaj një konflikt të armatosur në të gjitha vendet e prekura të Ballkanit Perëndimor”, thekson analistja nga Brukseli.
Bodo Weber tregon se në katër vitet e mëparshme, i gjithë rajoni u kërcënua nga destabilizimi për shkak të idesë së shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës dhe se tani është bërë një “hapje e re” që transferon kërcënimin në territor të Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Në katër vitet e kaluara është vërejtur dinamika e ‘devijimit të rrezikshëm’ të disa përfaqësuesve të BE dhe SHBA që negociojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët së pari, duke u përqendruar në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, kërcënuan stabilitetin e të gjithë rajonit me idenë e çmendur të shkëmbimit të territoreve. Pastaj Bosnja dhe Hercegovina, jashtë vëmendjes, arritën të dakordohen për një “marrëveshje të ndyrë” mbi ndarjen etnike në nivelin lokal, të ashtuquajturën Marrëveshja e Mostarit. E gjithë kjo tregon se negociatorët tanë perëndimorë në situata krize janë të prirë të bëjnë çfarëdo marrëveshje, që do të thotë një kompromis i keq me agjendat e rrezikshme rajonale që do të shkonin për shtati udhëheqësve nacionalë në Ballkanin Perëndimor”, konstaton Weber.
Dokumenti radikal
Alexandra Stiglmayer nga Nisma Evropiane e Stabilitetit kujton faktin se, në procesin e zgjidhjes së “çështjes së Kosovës”, disa nga udhëheqësit e BE mbështetën opsionin e “çdo zgjidhjeje për të cilën të dy palët bien dakord”.
Analistët thonë se edhe “non-paper” i pretenduar slloven shkon “edhe më radikalisht”, pa konsultime paraprake me vendet e prekura prej tij.
“Unë nuk mendoj se as Bosnja dhe Hercegovina, as Maqedonia Veriore, as Kosova do të bien dakord për këtë. Ndoshta Shqipëria po, por kjo do të nënkuptonte largimin e saj nga rruga e BE-së”, thotë Stiglmayer.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri shqiptar Edi Rama ishte i vetmi që konfirmoi se ai e kishte parë dokumentin dhe se ai kishte diskutuar për këtë “ide” me kryeministrin slloven.
Analistët nga Brukseli dhe Berlini pajtohen se nuk ka as për së afërmi mbështetje të shumicës për një “ide” të tillë.
“Nëse një dokument i tillë, në formën e se si është publikuar në media, ekziston, kjo do të tregonte se z.Jansha, në radikalizmin e tij, në të vërtetë vepron në mënyrë më kundërproduktive për të promovuar idenë e tij. Unë besoj se kjo është një mënyrë shumë e ashpër e lobimit për ide të tilla të rrezikshme, nëse është me të vërtetë dokumenti është i vërtetë dhe autentik”, tha Bodo Weber.
Ai shton se shpreson që situata e re e krijuar do të inkurajojë vendet e BE-së t’i japin “më shumë kundërshtim” mënyrës së rrezikshme të negociatave të përfaqësuesve të BE-së, konkretisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, në këtë moment.
“Këto negociata kërcënojnë me ndarje të mëtejshme etnike të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe atë nën përkujdesjen e BE-së SHBA-ve, por edhe me shpërbërjen e vendit dhe destabilizimin e të gjithë rajonit, të cilin gjithashtu do ta përjetonim nëse do të përmbyllej një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbia. Kërcënimi është real nga negociatat e ndyra dhe jotransparente të përfaqësuesve evropianë, dhe më pak nga një avokim i tillë i hapur i ideve etno-nacionaliste siç është ‘non-paper’ i famshëm nga Lubjana “, përfundon Weber.
Testi pa ndikim dhe politika pa zgjim
Teksti, i cili ngriti pluhur në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë BE-në, pretendohet se iu dërgua Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, si pjesë e njoftimit të prioriteteve të cilat Sllovenia do t’i përfaqësojë kur të marrë presidencën e Këshillit të BE-së në mes të vitit.
“Pas reagimeve të marra, kryeministri slloven nuk do të vazhdojë të këmbëngulë në ide të ngjashme dhe se nuk duhet të presim ndonjë kthesë radikale në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”, beson Alexandra Stiglmayer.
“Unë nuk besoj se kjo mund të jetë baza për ndonjë politikë të re të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve anëtare mbështesin shtetet multietnike, bazuar në të drejtat e njeriut dhe ato qytetare. Për kët ënuk do të diskutohet zyrtarisht më tej në Bruksel”, thotë ajo, por ajo gjithashtu shton se “një shtysë e re në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e nevojshme, por unë nuk shoh se ka një thirrje reale për zgjim. Për sa kohë që situata në Ballkanin Perëndimor po zvarritet, ndoshta jo në një mënyrë shumë të kënaqshme, por sigurisht pa konflikte, vendet anëtare të BE nuk do ta shohin atë si një prioritet”.
Alexandra Stiglajer i bëri thirrje BE-së që më në fund t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor “diçka me të vërtetë të besueshme”, përfshirë një proces më funksional të pranimit, “mbi çfarë dhe për çfarë” do të duhej të punojë Ballkani Perëndimor.
“Në të kundërtën, kam frikë se do të ketë një konflikt. Dy situata veçanërisht problematike janë ato midis Serbisë dhe Kosovës dhe ato në Bosnjë dhe Hercegovinë”, përfundoi Stiglmayer.