DW: Shuhet një institucion politik gjerman

Prishtinë | 27 Dhj 2023 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Politikani shumë i njohur gjerman nga radhët e Partisë Kristiandemokrate, Wolfgang Schäuble ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare. Ai ka mbajtur pozicione shumë të larta shtetërore. Ndaj tij është kryer edhe një atentat.

Ish-presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Politikani i CDU u shua në qetësi, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, në shtëpi me familjen e tij të martën në mbrëmje rreth orës 20:00, kumtoi familija. Në karrierën e tij të gjatë politike, Schäuble ka mbajtur poste të shumta politike në institucione të ndryshme. Nga skena politike e vendit largohet një institucion i vërtet politik. Një politikan me pasion, një person që me energji e përkushtim ka ushtruar detyrat e tij të shumta politike. Një njeri që nuk u përkul kurrë nga goditjet e rënda të fatit.

Wolfgang Schäuble (i lindur më 1942) ishte diçka si vetë historia politike e Republikës Federale të Gjermanisë. Politikani i CDU ka qenë deputet i Bundestagut pa ndërprerje që nga viti 1972. Ky është një rekord: në rreth 150 vjet të historisë kombëtare parlamentare, askush nuk e ka arritur këtë para tij. Një jetë pa politikë ishte e paimagjinueshme për Schäuble.

“Unë jam një parlamentar me pasion”, thoshte ai vazhdimisht. I pyetur në një intervistë se si ndihej që kishte formësuar politikën në Bundestag për rreth gjysmë shekulli, Schäuble u përgjigj – me një buzëqeshje enigmatike, me sytë që vezullojnë, e ndoshta edhe me një prekje ironie intelektuale që ishte tipike për të: “Kështu mund ta shihni se sa argëtuese mund të jetë politika”.

Ministër me parime

Gjatë viteve kur CDU ishte në opozitë (1998-2005), Wolfgang Schäuble u përqendrua në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Në koalicionin e madh nga viti 2005, ai fillimisht u bë ministër i Brendshëm e më pas edhe ministër i Financave. Opozita e quante ate “një qen i ashpër”. Për shembull, ai mbështeti një ligj të sigurisë së aviacionit që mundësonte rrëzimin e një avioni që është rrëmbyer nga terroristët. Propozimi dështoi.

Nën kujdesin e tij si Ministër i Financave (nga viti 2009), kaloi paketa më e madhe ligjore e masave shtrënguese në historinë e Republikës Federale. Wolfgang Schäuble nuk bëri vetëm miq me këtë vendim. Gjatë krizës së euros, ai u bë armik i shumë grekëve sepse vendosi disiplinë të rreptë kursimesh në vend.

Wolfgang Schäuble mbeti një burim idesh, një vizionar politik konservator dhe burim frymëzimi deri në pleqëri. Ai gjithmonë kërkonte sfida intelektuale. Në fillim të vitit 2021 ai publikoi një libër me titull: “Përvojat e kufijve – si rritemi nëpër kriza”. Libri është diçka si kredo e jetës së tij si politikan. Ai tregonte kuriozitetin e Schäuble-s, i gëzohej shkëmbimit të argumenteve dhe argëtohej me risitë. Wolfgang Schäuble e shihte edhe pandeminë korona si një mundësi për të kapërcyer “palëvizshmërinë” në Gjermani. “Shumë njerëz në vendin tonë mendojnë se ndryshimi është i nevojshëm”, thoshte ai.

Një fjali mund të jetë ndoshta edhe lajtmotiv i jetës së tij: “Ne kemi lirinë për ta bërë botën në të cilën jetojmë më të mirë, kemi lirinë të bëjmë gjëra të mëdha”. Wolfgang Schäuble besonte në këtë, në kohën e jetës së tij. Ai la pas vete gruan e tij Ingeborg dhe katër fëmijë./DW

Të ngjashme