Dy fëmijë dhe gjyshja e tyre në mesin e viktimave nga zjarret në Kaliforni

Prishtinë | 30 Kor 2018 | 17:46 | Nga

Më shumë se 24 vatra zjarri kanë përfshirë Kaliforninë Veriore, duke shkaktuar deri tani gjashtë viktima. Mijëra shtëpi janë shkatërruar dhe disa njerëz figurojnë ende të humbur. Zjarri vdekjeprurës ka detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Zjarret vazhdojnë pothuajse jashtë kontrollit në Kaliforninë Veriore ku u regjistrua viktima e gjashtë.

Sherifi i qarkut Shasta, Tom Bosenko tha se viktima, ende e pa identifikuar, nuk ishte larguar pavarësisht se kishte marrë një paralajmërim për evakuim. Viktima të tjera përfshinin dy fëmijë, gjyshen e tyre dhe dy zjarrfikës. Më shumë se 12 njerëz ende figurojnë të zhdukur.

“Ka patur njoftime për 16 persona të zhdukur. Nëntë prej tyre janë gjetur, shtatë janë duke u hetuar. Ka pasur një viktimë tjetër si rezultat i zjarrit në një vendbanim”, ka thënë Bosenko, raporton VOA.

Bosenko tha se eshtrat e viktimës u gjetën pranë Redding, një qytet prej 90,000 banorësh rreth 370 kilometra në verilindje të San Franciskos.

Zjarri ka detyruar tashmë dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zyrtarët lokalë vlerësojnë se të paktën 517 struktura janë shkatërruar dhe 135 të tjera janë dëmtuar – shumica shtëpi.

Keswick, një qytet malor prej rreth 450 banorë, pothuajse është djegur i tëri, thanë zyrtarët.

Zjarri në Carr Fire është më i madh që digjet në këtë shtet, duke kërcënuar më shumë se 5.000 struktura. Zjarri është vetëm 5 për qind nën kontroll.

Një zëdhënëse tha se 17 zjarre në Kaliforni kanë detyruar më shumë se 50,000 njerëz të lenë shtëpitë e tyre ndërsa rreth 12,000 zjarrfikës po luftojnë me flakët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme