Dy filma nga Kosova kthehen me çmime nga Festivali i Tiranës

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 09:11 | Nga

Për skenarin më të mirë dhe për filmin më të mirë shqiptar u vlerësuan dy filma të bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në ceremoninë përmbyllëse të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.

“T’padashtun”me regji të Edon Rizvanollit, njëherësh propozimi i Kosovës për “Oscar” në kategorinë më të mirë në gjuhë të huaj”, ka marrë çmimin për skenarin më të mirë. E “Home” me regji të More Raçës u shpall filmi më i mirë shqiptar i edicionit të pesëmbëdhjetë të “TIFF-së”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Fituesi kryesor i ceremonisë së mbajtur të shtunën mbrëma doli filmi “Glory”, një bashkëprodhim greko-bullgar i realizuar me regji të Kristina Frozevas dhe Petar Valchanovit. Filmi shtjellon një dramë sociale e realiste që eksploron temën e korrupsionit, ndryshimet klasore dhe ndarjen ruralo-urbane në shoqërinë bashkëkohore bullgare.

Përveç trofeut të çmimit kryesor të festivalit, “Glory” – i ndarë nga juria në përbërje të Denis Cote nga Kanadaja e Dritan Huqit nga Shqipëria – mori edhe çmimin e jurisë së medias në mbrëmjen finale të festivalit që u mbajt në kinemanë “Agimi”. Për nëntë ditë me radhë, në kuadër të “TIFF-së” adhuruesit e filmit kanë pasur mundësi t’i shihnin mbi 250 filma nga e gjithë bota.

Regjisori Edon Rizvanolli ka thënë se për të secili vlerësim që i bëhet punës së tij është i veçantë.

“Secili çmim e ka rëndësinë e vet, mirëpo ky është më i veçantë pasi që është i pari me të cilin është shpërblyer filmi”, ka thënë Rizvanolli. “T’padashtun” në 85 minuta trajton ngjarjen e një adoleshenti, i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullon botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.

Ndërsa regjisorja More Raça ka thënë se “Home” tashmë e ka pasur një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm nëpër festivale botërore. Filmi i metrazhit të shkurtër në shtator të vitit të kaluar e ka pasur premierën në “Raindance Film Festival” në Britani të Madhe.

“Filmi e ka pasur një rrugëtim të gjatë e shumë të suksesshëm në festivale botërore, si në Raindance, Florida, St.Louise etj. Por gjithsesi ‘Tirana Film Festival’ për mua është një ndër evenimentet shumë të rëndësishme për mbarë kineastët e sidomos për kineastët shqiptarë”, ka thënë Raça, e cila ka qenë e pranishme për ta pranuar çmimin në Tiranë.

“Është nder të vlerësohet filmi si më i miri shqiptar dhe kjo më bën shumë krenare dhe më inkurajon për punë të mëtutjeshme në filmin tim të ri, që shpejt do të finalizohet”, ka thënë ajo.

Në ceremoninë përmbyllëse të “Tirana Film Festival”, regjisori më i mirë është shpallur Gentian Koçi për filmin “Daybreak”. Çmimi “Kinematografia më e mirë” i është ndarë “Vesselin Hritov” me regji të Stephan Komandarev – një bashkëprodhim ndërmjet Bullgarisë, Gjermanisë e Maqedonisë. Për montazhin më të mirë është shpërblyer “Luc Barnier”, derisa filmi më i mirë i gjatë evropian është shpallur “Beneath the Silence” me regji të Erez Mizrahit dhe Sahar Shavit. Juria e filmave dokumentarë në përbërje të Altin Raxhinit e Mateo Cingut nga Shqipëria dhe Visar Vishkas nga Maqedonia, çmimin e dokumentarit më të mirë ia kanë ndarë “On the Edge of Lifeby” nga Yaser Kassab.

Për dokumentarin më të mirë të gjatë është vlerësuar “The Charro of Toluquillaby” nga Jose Villalobos Romero, derisa për dokumentarin më të mirë të shkurtër është shpërblyer “The Gold Rushby” nga Raúl de la Fuente. Dokumentari më i mirë evropian është shpallur “Mr.Gay Syriaby” nga Ayse Toprak.

Festivali e ka pasur edhe jurinë e filmit të shkurtër fiktiv në përbërje të Hila Chessen nga Izraeli, Laurent Rouy nga Franca dhe Ergys Meta nga Shqipëria, që çmimin kryesor ia ka ndarë filmit “Retouch” me regji të Kaveh Mazaherit. E juria e animacionit dhe videoartit, në përbërje të Alban Mujës, Albert Malltezit e Fani Zguros e ka vlerësuar si filmin më të mirë të animuar me metrazh të shkurtër filmin “The Bridge Over the River” nga Jadwiga Kowalska. Mirënjohje e veçantë është ndarë për “The Remigrant” nga Astrit Alihajdaraj.

Image

Të ngjashme