Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në prag të përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor, me ç’rast e ka caktuar edhe datën se kur do të mbahen zgjedhjet për të parin e partisë. Më 3 gusht 2019, në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, delegatët e kësaj partie do të votojnë për kryetarin e ri, mirëpo deri atëherë ky subjekt politik po pretendon se nuk kanë të drejtë t’i përmendin emrat e kandidatëve për pozitën e kryetarit, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndërkohë, njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se Lidhja Demokratike do ta rrezikojë seriozisht reputacionin e saj nëse nuk do të lejojë garë me më shumë se një kandidat.
Kësisoj ata theksojnë se kryetari aktual Isa Mustafa duhet të tërhiqet nga gara. Por kryetari Mustafa nuk e ka mohuar kandidaturën e tij edhe për një mandat tjetër, ndonëse edhe deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se LDK-ja nuk do të rritet më shumë me Isa Mustafën në krye.