Nga 1547 vendvotime sa kanë qenë në dispozicion në zgjedhjet e 6 tetorit vetëm 10 për qind e tyre kanë mbetur pa u futur në rinumërim.
Pas vendimit të PZAP-it Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve e ka nisur rinumërimin e votave në 1428 vendvotime, proces ky i cili pritet të përmbyllet për dy javë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë ditës së djeshme Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve ka nisur rinumërimin e votave në 1428 vendvotime, pas vendimit që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka marrë të hënën.
Me këtë vendim të PZAP-it nga 2547 vendvotime sa kanë qenë në dispozicion në zgjedhjet e 6 tetorit kanë mbetur pa u futur në rinumërim afër 280 vendvotime.
Njohësit e çështjeve politike theksojnë se duke u bazuar në dinamikat e rinumërimeve të mëparshme dhe në rritjen e kapaciteteve që ka bërë KQZ-ja, atëherë procesi i rinumërimit të votave në 1428 vendvotime mund të përmbyllet për 2 javë. Kësisoj, certifikimi i rezultateve mund të shtyhet deri në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit.
Mirëpo, sipas tyre, me këto rinumërime nuk pritet të ketë ndërrim të rezultatit në mes të partive, por vetëm brenda listave të kandidatëve për deputetë.