Listës së personave të akuzuar për veprat penale që ndërlidhen me “terrorizëm” i janë shtuar edhe dy të pandehur të tjerë nga qyteti i Pejës. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Nebih Kadriut, pronar i një radioje që transmetonte dhe propagandonte ligjërata për xhihad, si dhe ndaj të pandehurit tjetër N.B.
Kadriu ishte pronar i radios “Ansar” dhe, sipas aktakuzës, ai përmes valëve të kësaj radioje vazhdimisht ka nxitur urrejtje dhe përçarje fetare, si dhe ka bërë thirrje për bashkim në luftërat fetare përkrah organizatave terroriste si “Al-Qaida” dhe ISIS.
Ngritja e aktakuzës për këta dy persona ka ardhur pas dyshimeve të Prokurorisë se të dy këta në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale që kanë të bëjnë me “Bashkimi ose pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore ose individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Kosovës”.
Përveç veprave penale, njëri prej këtyre të pandehurve akuzohet edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Zëri/