Dy prokurori merren me aksionin që ia vuri prangat Gjuriqit

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Ka përfunduar në organin e akuzës një raport i hartuar për aksionin policor të një viti më parë, i cili kishte përfunduar me arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Prokuroria Themelore në Mitrovicë është duke u marrë me këtë rast.

Në 26 marsin e vjetëm, Gjuriq kishte shpërfillur vendimin e autoriteteve, me të cilin i refuzohej kërkesa për ta vizituar Kosovën. Por ai e kishte realizuar hyrjen ilegalisht, duke përdorur rrugët alternative. Dhe, me përfaqësues të serbëve, kishte marrë pjesë në një aktivitet të paralajmëruar më herët, shkruan sot Koha Ditore.

Pasi ishte identifikuar lokacioni, njësitet elitare të policisë kishin shkuar në veriun e vendit të banuar kryesisht me serbë dhe kishin hyrë brenda godinës ku ndodhej organizimi dhe ku ishin të pranishëm edhe ministra serbë të Qeverisë së Kosovës dhe pjesëmarrës të tjerë. Disa qytetarë ishin lënduar në aksion, pasi kishin bërë përpjekje ta pengonin policinë për ta kapur Gjuriqin. Në aksion ishte lënduar edhe Nenad Rikalo, atëkohë ministër i Bujqësisë.

Megjithëkëtë, policia kishte arritur ta kapte Gjuriqin dhe një nga veprimet e kritikuara të uniformave blu, ishte ekspozimi në publik i zyrtarit serb, kur e kishin sjellë në pranga në Prishtinë.

Në Inspektoratin Policor (IPK) ia kanë konfirmuar gazetës se kanë zhvilluar hetime në lidhje me këtë aksion të Policisë dhe se raportin informues ia kanë përcjellë Prokurorisë kompetente.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme