Dy serbë e pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

Prishtinë | 27 Shk 2024 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

“Gjykata miratoi atë për të cilën kemi rënë dakord. Sa i përket Radosh Petroviqit, gjashtë muaj burgim i është shndërruar në gjobë. Ndërkaq, Dushan Obrenoviq, që ka qëndruar në paraburgim, ajo kohë i është përfshirë në dënimin e tij”, ka deklaruar avokati Asdren Hoxha

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve në mes të protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kanë arritur një marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe kanë pranuar fajësinë për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Pas pranimit të fajësisë, ata janë lënë të lirë.

Kështu konfirmoi për Portalin Dukagjini avokati Asdren Hoxha.

Ai sqaroi se paraprakisht janë hedhur poshtë tri vepra të tjera penale që rëndonin ndaj të akuzuarve.

“Gjykata miratoi atë për të cilën kemi rënë dakord. Sa i përket Radosh Petroviqit, gjashtë muaj burgim i është shndërruar në gjobë. Ndërkaq, Dushan Obrenoviq, që ka qëndruar në paraburgim, ajo kohë i është përfshirë në dënimin e tij”, ka deklaruar Hoxha.

“I akuzuari R.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumë prej gjashtë (6) mijë euro, në këtë dënim të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit, ku për secilën ditë qëndimi do të llogaritet shuma prej njëzet (20) euro. I akuzuari D.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit. Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës sipas llogaritjes së shpenzimeve të gjykatës, obligohen të paguajnë nga 200 euro për paushallin gjyqësor secili veç e veç, si dhe shumën nga 50 euro, për fondin për kompensimin e viktimave të krimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Sipas aktakuzës, që u ngrit më 5 shkurt të këtij viti, ata akuzoheshin se “kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, kanë “rrezikuar personat nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe po ashtu ishin akuzuar për “sulm ndaj personit zyrtar”.

Dushan Obrenoviq ishte në paraburgim për gjashtë muaj, por në fund të nëntorit të vitit 2023 u lirua për t’u mbrojtur në liri. Ndërkaq, Radosh Petroviq, u lirua nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri qershorin e vitit të kaluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme