Gjykimi i nisur para një viti ndaj zyrtarit komunal të Pejës, Budak Shala, ka përfunduar me dënimin e shqiptuar nga Departamenti për Krime të Rënda, me dy vjet burg, me kusht, nëse gjatë një viti nuk kryen një vepër të re penale.
Shala është dënuar nga gjykata për veprën penale mashtrim në tentativë, ndonëse aktakuza nga Prokuroria Themelore e Pejës e ka ngarkuar atë për veprën penale të mashtrimit, por gjykatësi i lëndës, Sylë Lokaj, gjatë shpalljes së aktgjykimit, të martën, e ka ricilësuar veprën nga vepra penale e mashtrimit në atë të mashtrimit në tentativë. “…Zyrtari për çështje pronësoro-juridike ka përpiluar vendimin kinse të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të Komunës së Pejës, e pastaj ia ka dërguar për nënshkrim kryetarit të Komunës së Pejës, të cilin e vë në lajthim, kryetari pa e kontrolluar, së bashku me disa vendime të tjera, e ka nënshkruar vendimin në fjalë me të cilin vendim një kompanie në Pejë, përveç të tjerave, i është njohur e drejta si operator ekonomik kontraktues që sipas kontratës t’i bëhet kompensimi ditor për çdo veturë në shumë prej pesë eurosh, e mbi bazën e të cilit vendim, operatori ekonomik në fjalë ka parashtruar kërkesë për ekzekutim, duke tentuar kështu që të dëmtuarës Komuna e Pejës, t’i shkaktojë dëm material në shumën totale prej 414 mijë e 988 eurosh, por që ky vendim nuk është ekzekutuar.
Me këto veprime i pandehuri B.SH ka kryer veprën penale mashtrim i mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Pejë. Kjo gjykatë udhëzon për kontest civil të dëmtuarit në këtë rast, Komunën e Pejës dhe kryetarin e saj Gazmend Muhaxheri, si dhe drejtorin e Financave, Jeton Abazaj, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.