Dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, fillon seanca ndaj tre të arrestuarve

Prishtinë | 19 Gus 2023 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe afaristi Ridvan Muharremi që u arrestuan dje si të dyshuar për keqpërdorim të rezervave shtetërore, sot dalin para gjykatës.

Kjo është seanca e parë që zhvillohet ndaj tyre, pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në mbajtje, raporton Klan Kosova.

Në këtë seancë me gjyqtarë paraprakë, pritet t’u bëhet me dije tre të arrestuarve se përse janë arrestuar dhe se a i kuptojnë akuzat që janë ngritur ndaj tyre.

Seanca është e mbyllur dhe nuk po lejohet prania e gazetarëve në sallë.

Kujtojmë se të tre këta u arrestuan pas publikimit të disa incizimeve ku u ngritën dyshime për keqpërdorim të rezervave shtetërore që ndërlidhen me vajin dhe grurin.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, ani pse shprehet e bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe sipas saj, asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to.

Të ngjashme