Dyshja e Ajaxit që agjëroi vrapoi më shumë sesa disa të tjerë në fushë

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Hakim Ziyech dhe Noussair Mazraoui ishin duke agjëruar gjatë ndeshjes së mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit.

Mirëpo, mungesa e ushqimit dhe pijes nuk duket se ndikoi në nivelin e tyre të energjisë.

Dyshja e klubit holandez luajti mbrëmë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit, megjithatë agjërimin nuk e ndërprenë. Ata agjëruan edhe në fushën e lojës, deri në minutën e 24-të të ndeshjes, kur bënë iftar, transmeton Gazeta Express.

Në minutën e 24-të të ndeshjes bënë iftar dhe Ziyech e shënoi golin e dytë të Ajaxit vetëm 11 minuta pasi hëngri bukë dhe piu ujë.

Përkundër që ishin duke agjëruar, Ziyech dhe Mazraoui duket se kishin mjaft shumë energji, pasi që statistikat e lojës dëshmojnë se ata vrapuan më shumë në fushë sesa nëntë lojtarë të Tottenhamit.

Ajaxi e mbylli pjesën e parë të ndeshjes duke fituar me rezultat 2:0, pasi golat e shënuara nga Matthijs de Ligt dhe Ziyech ia dha atyre epërsinë me rezultat të përgjithshëm 3:0.

Mirëpo, skuadra e Mauricio Pochettinos i mblodhi forcat për pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje dhe arriti ta sigurojë fitoren me rezultat 3:2, përkundër që kjo gjë dukej shumë e pamundur pas lojës në pjesën e parë.

Lucas Moura e shënoi një het-trik të paharrueshëm. Goli i tij i tretë, që ia siguroi londinezëve kualifikimin në finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, erdhi në minutën e 96-të të ndeshjes, vetëm disa momente para se të përfundonte ndeshja.

Tani, Tottenhami do të takohet me Liverpoolin në finalen angleze të Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madridit, “Wanda Metropolitano”.

Të ngjashme