Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pas një hetimi disa ditor lidhur me një rast të ndodhur në Suharekë.
Sipas policisë, ngjarja kishte ndodhur më 11 qershor, rreth orës 02:20, në hyrje të një marketi në rrugën “Brigada 123”. Ankuesi kishte raportuar se ishte sulmuar nga dy persona të panjohur, ku njëri e kishte kapur për krahu, ndërsa tjetri i kishte marrë nga xhepi 200 euro.
Pas incidentit, të dy të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimeve intensive hetimore, më 15 qershor policia arriti të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin R.K., 27-vjeçar nga fshati Tërne i Suharekës.
“Ai u intervistua në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa prokurori përgjegjës, pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive, vendosi që rasti të ri-kualifikohej veprën si “vjedhje e rëndë”. I dyshuari u ndalua për 48 orë. Ky rast tregon përkushtimin e policisë në zbardhjen e veprave penale dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë. Kjo mbetet një shembull i punës së vazhdueshme të policisë që shpesh zhvillohet larg syrit të publikut, por me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve”, thotë PK.