I dyshuari për vrasjen e gruas dhe vajzës në Gjakovë nga gjykata dërgohet në spital

Prishtinë | 09 Gus 2018 | 11:01 | Nga

Është ndërprerë seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, për shkak se atij i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Kjo ka ndodhur gjatë kohës sa prokurori i rastit, Agron Matjani, ka filluar të lexojë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjykatësi i rastit Shaqir Zika për arsye të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të dyshuarit e ndërpreu seancën dhe thirri ndihmën e shpejtë.

Derisa, erdhi ndihma e shpejtë i dyshuari mbeti i shtrirë në tokë, ku më pas me ndihmë të shpejtë është dërguar për në spital. Pas kësaj, gjykatësi Zika këtë seancë e ka shtyrë për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj.

Ngjarja kishte ndodhur të martën mbrëma në fshatin Brekoc të Komunës së Gjakovës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të prokurorit kujdestar, Ali Uka, thuhet se me lënien në liri, i pandehuri do të arratiset nga Kosova, si dhe nga rrethanat se ekziston rreziku që me gjetjen e mundshme të tij në liri, do të vije deri tek hakmarrja e mundshme nga ana e familjarëve të viktimës.

Gjithashtu, prokurori Uka të mërkurën ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tani të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klan Kosova.

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 7 gusht në ora 21:00, në shtëpinë e vëllezërve të tani të ndjerës, bashkëshortes së tij, Valbona Marku-Ndrecaj, me dashje ka privuar nga jeta, anëtarët e familjes përkatësisht bashkëshorten e tij, tani të ndjerë dhe vajzën e tij, 9 vjeçare.

Aty thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri shkon tek shtëpia e vëllezërve të tani të ndjerës dhe me armën automatike “AK-47”, shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerave, duke i privuar nga jeta.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme